Rama: Në Kukës për zgjedhjen e qartë e historike të 11 majit

TIRANË, 30 prill/ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama mori pjesë sot në disa takime elektorale në qarkun e Kukësit si dhe në një takim në Tiranë me të rinjtë që kanë kryer kurset speciale të kodimit.
Në një postim në rrjetet sociale Rama ndau një video me pamje nga këto takime.
“Drejt 11 majit. Sot në Kukës për zgjedhjen e qartë e historike të 11 majit, si dhe me të rinjtë që kanë kryer kurset speciale të kodimit”, shkruan Rama.
Në takimin elektoral me qytetarë të qarkut të Kukësit, Rama theksoi se hyrja në BE nuk është çështje e fushatës për një mandat tjetër të Partisë Socialiste apo për ndonjë interes personal, por një domosdoshmëri për të ardhmen e vendit.
“Kjo nuk është një fushatë për karrigen time apo për një mandat tjetër të PS, apo një tjetër mandate qeverisës. Sepse në të gjitha sondazhet në medie, edhe ato që nuk lënë gjë pa thënë kundër nesh, del se PS fiton zgjedhjet e 11 majit. Kjo është një thirrje që shqiptarët të bëhen shumicë më e madhe se kurrë më parë për të dhënë një fuqi të re vendimmarrëse”, u shpreh kryeministri.
Rama ishte i pranishëm sot në Tiranë edhe me të rinjtë që kanë kryer kurset speciale të kodimit.
Në këtë takim u bë e ditur se mbi 7 mijë të rinj kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e kursit të trajnimit të Programit të Kodimit, që financohet nga qeveria shqiptare.
/k.s/j.p/