Bashkia Lezhë apel pushuesve: Priten dallgë të mëdha, shmangni zonat e pasigurta në plazh

TIRANË, 9 korrik/ATSH/ Bashkia e Lezhës ka paralajmëruar pushuesit për kushtet e pafavorshme detare që pritet të ndikojnë bregdetin e Lezhës dhe zonat përreth gjatë ditës së sotme dhe ditëve në vijim. Parashikohet që deti të jetë me dallgë të forta dhe me rryma të rrezikshme, ndaj strukturat lokale, në bashkëpunim me vrojtuesit e plazhit, janë vendosur në gatishmëri për të monitoruar situatën dhe për të garantuar sigurinë e pushuesve dhe turistëve.
Pushuesve u bëhet thirrje të respektojnë udhëzimet e vrojtuesve, të mos hyjnë në det kur valët janë të larta ose kur është ngritur flamuri i kuq, si dhe të preferojnë plazhe me shërbim sigurie dhe praninë e vrojtuesve.
Operatorët turistikë dhe bizneset bregdetare paralajmërohen të marrin masat e nevojshme për të parandaluar çdo rrezik nga erërat e forta, të cilat mund të shkaktojnë zhvendosje të çadrave dhe shezlongëve, dëmtime të pajisjeve në plazh dhe rrezik për sigurinë e pushuesve.
Ndërkohë, vrojtuesve të plazhit u kërkohet të vendosin sinjalistikë paralajmëruese në mënyrë të dukshme dhe të ngrejnë flamurin e kuq në rast rreziku të lartë, për të siguruar një ambient sa më të sigurt për vizitorët.
1 nga 5/a.gj//r.e//a.f/