Nis asfaltimi i rrugës Çajup–Topovë, nxitje për turizmin dhe ekonominë e Zagorisë

TIRANË, 9 korrik/ATSH/ Në bashkinë e Libohovës ka nisur puna për asfaltimin e rrugës Çajup–Topovë, e cila do të nxjerrë në pah potencialet e mëdha të zhvillimit dhe mundësitë për investime në të gjithë zonën e Zagorisë.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale momente nga kryerja e këtyre punimeve.
“Nga ato lajme që vijnë drejt e nga zemra e Zagorisë dhe zemrën mal ta mbushin. Sot kanë nisur punimet për asfaltimin e rrugës Çajup–Topovë, një projekt i shumëpritur që i jep më në fund një hov të ri qarkullimit në këtë zonë të jashtëzakonshme natyrore, historike e kulturore”, theksoi Kumbaro.
“Ky investim i qeverisë shqiptare përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit nuk është thjesht një rrugë, por një projekt madhor që lidh banorët, fermerët, guidat dhe vizitorët me mundësi të reja zhvillimi, turizmi dhe ekonomie rurale”, tha Kumbaro.
Kumbaro bëri të ditur se “puna ka nisur me ritëm të lartë dhe pamjet flasin vetë. Kjo rrugë është një tjetër hap përpara për Zagorinë që duam dhe drejt projektit të madh të ndërtimit të plotë të Unazës së Çajupit, që do të lidhë gjithë fshatrat e bukur mes Pogonit dhe Zagorisë”.
Rruga ka një gjatësi prej 9 kilometrash dhe qëllimi i ndërhyrjes është që të bëhet rehabilitimi sipas standardeve, për ofrimin e një lëvizje më të sigurt dhe më të shpejtë të mjeteve si dhe për lidhjen e fshatrave të kësaj njësie me territorin tjetër të bashkisë Libohovë si dhe me bashkitë fqinje, Gjirokastër dhe Dropull.
1 nga 4/k.s//r.e//a.f/