Bashkia e Sarandës, investime në infrastrukturën. Ndërhyrje në rrugët e qytetit dhe zonave periferike

Bashkia e Sarandës ka ndërmarrë gjatë kësaj periudhe një sërë investimesh në infrastrukturën rrugore, me fokus lagjet kryesore të qytetit, zonën e Ksamilit dhe disa prej lagjeve periferike. Punimet synojnë përmirësimin e qarkullimit dhe krijimin e kushteve më të mira për banorët dhe vizitorët që frekuentojnë këto zona.
Ndërhyrjet kanë përfshirë sistemimin dhe rehabilitimin e segmenteve rrugore që kanë shfaqur probleme ndër vite. Përmirësimi i infrastrukturës pritet të lehtësojë lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve, duke garantuar një akses më të sigurt dhe më funksional, veçanërisht gjatë sezonit turistik kur fluksi i vizitorëve është më i lartë.
Sipas drejtorit të Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Jolio Dine, investimet në infrastrukturë do të vijojnë edhe në periudhën e ardhshme. Ai thekson se Bashkia e Sarandës do të vazhdojë të identifikojë dhe adresojë problematikat ekzistuese, me qëllim përmirësimin e infrastrukturës publike, veçanërisht në zonat periferike që kanë nevojë për më shumë ndërhyrje.
Vazhdimisht Saranda është në investim e sipër. Natyrisht që mund të ketë zona kam përshtypjen që janë shumë periferike të cilat mund të kenë ndonjë problem. Por në vazhdim do të ketë investime të tjera për infrastrukturën e këtyre zonave.
Me këto investime, Bashkia e Sarandës synon të rrisë cilësinë e shërbimeve publike dhe të përmirësojë kushtet e jetesës për komunitetin, duke krijuar një infrastrukturë më të sigurt dhe më funksionale për banorët dhe vizitorët e qytetit.
Gazetare: B. Pëllumbi
/rtsh.al/