Forumi “Youth & Democracy”, të rinjtë në fokus të proceseve demokratike dhe integruese europiane

Zgjerimi i Bashkimit Europian, pjesëmarrja qytetare dhe qeverisja digjitale ishin në qendër të diskutimeve në forumin “Youth & Democracy”, i zhvilluar në Universitetin e Shkodrës.
Veprimtaria mblodhi së bashku përfaqësues të këshillave studentore, rinore, organizatave të shoqërisë civile, akademikë dhe ekspertë të fushës, me synimin për të nxitur angazhimin e të rinjve në proceset demokratike dhe integruese.
Sipas organizatorëve, qëllimi është tu jepen mundësi të rinjëve të kontribuojnë aktivisht në hartimin e programeve dhe politikave të Bashkimit Europian që prekin drejtpërdrejt të ardhmen e tyre.
“Qytetarët dhe veçanërisht të rinjtë mund të kalojnë nga pozicioni i një vëzhguesi pasiv të BE-së në një kontribues aktiv në formulimin e politikave të saj. Për qytetarët dhe të rinjtë, ky projekt ofron mundësi për t’u dëgjuar, për të fituar përvojë në konsultimin publik, në kërkim, në dialog, advokim dhe bashkëpunim europian“, tha Prof. As Albana Begani Pedagoge e UNISHK, koordinatore e aktivitetit.
Gjatë forumit, ekspertë të integrimit europian theksuan se përfshirja e të rinjve në debatet publike dhe në proceset vendimmarrëse është një element kyç për forcimin e demokracisë dhe përgatitjen e vendit drejt standardeve europiane.
“Kjo është një nga ato kriteret themelore ku Bashkimi Europian synon kryesisht. Ne dëgjojmë shpesh herë që demokracia në Shqipëri është demokraci e brishtë, por synimi është që kjo të forcohet, ku kryesisht rinia të ketë rolin e saj”, tha Dr. Zemaida Kastrati Mozali, Pedagoge UT, eksperte e integrimit në BE.
Forumi “Youth & Democracy” zhvillohet në kuadër të projektit ENGAGEUROPE, një nismë e financuar nga Bashkimi Europian, e cila përfshin trajnime, konsultime dhe aktivitete advokuese të udhëhequra nga vetë të rinjtë.
Gazetar: A.Hoti
/rtsh.al/