E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Shijakut nis procedurat për asfaltimin e disa akseve rrugore rurale

TIRANË, 3 mars/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana zhvilloi takim me banorët e fshatit Ardhishtë të njësisë administrative Gjepalaj, me të cilët diskutoi për problematikat e infrastrukturës rrugore në zonë.

Gjatë takimit banorët ngritën shqetësimin për gjendjen e rrugëve në Ardhishtë, Shetel, Eminas dhe Cizmeli, duke kërkuar ndërhyrje për përmirësimin e tyre.

Arbana i informoi banorët se bashkia ka nisur procedurat për asfaltimin e këtyre akseve rrugore me financim të qeverisë, përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si dhe nga të ardhurat e bashkisë.

Në territorin e bashkisë Shijak po vijojnë paralelisht disa projekte, mes të cilave Paketa e Maleve, asfaltimi i rrugëve rurale, si dhe procesi i pajisjes me certifikata pronësie dhe AMTP për fshatrat Shetel dhe Shahinaj. Gjithashtu, po punohet për përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm, me mbështetjen e Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe fondeve të qeverisë.

Autoritetet vendore theksojnë se investimet në infrastrukturë dhe shërbime mbeten prioritet për zhvillimin e zonës.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›