Bayern planifikon kontratë të re për Olise, klauzola mund të arrijë 200 milionë Euro

Bayern Munich po përgatitet të hapë bisedimet për rinovimin e kontratës së Michael Olise, teksa ylli francez vazhdon të jetë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës bavareze.
Kontrata aktuale e 24-vjeçarit skadon në vitin 2029 dhe aktualisht nuk përmban klauzolë lirimi.
Sipas raportimeve të fundit, Bayern dëshiron ta lidhë Olise edhe më gjatë me klubin dhe në rast të një marrëveshjeje të re, mund të diskutohet edhe për përfshirjen e një klauzole lirimi me vlerë shumë të lartë.
Shifrat prej €200 milionë janë përmendur në raportime, por kjo shumë nuk është konfirmuar nga Bayern.
Interesi i Real Madridit është përmendur gjerësisht gjatë muajve të fundit, por klubi spanjoll e mohoi zyrtarisht më 20 qershor se kishte pasur kontakte me Olise, përfaqësuesit e tij apo rrethin e lojtarit.
Bayern, ndërkohë, duket se dëshiron të sigurojë të ardhmen e francezit përpara se situata të bëhet më e komplikuar. Max Eberl ka deklaruar se klubi dëshiron të dijë deri verën e ardhshme nëse Olise është i gatshëm të zgjasë kontratën.