E Hënë, 2 Nëntor 2026

Beci: Ura e re e Bahçallëkut gati në qershor 2026


TIRANË, 25 shtator/ATSH/ Ndërtimi i urës së re të Bahçallëkut konsiderohet si një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore për Shkodrën.

Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci inspektoi sot këtë kantier, ku punimet po vijojnë me ritme të larta.

“Ura e re me gjatësi 180 metra, do të jetë gati në qershor të vitit të ardhshëm, ndërsa deri tani ka përfunduar puna për ndërtimin e 4 pilotave, nga 5 që ka në total ura e re, 34 metra në thellësi të lumit Drin”, tha Beci.

Ndërsa rruga nga Harku i Bërdicës, sipas tij, “përfundon në fillim të vitit të ardhshëm”.

Beci theksoi se ura e re e Bahçallëkut është një investim prioritar për përmirësimin e qarkullimit dhe lëvizshmërisë në Shkodër, i lidhur edhe me projekte të tjera që do t’i japin qytetit një hyrje dinjitoze.

E inauguruar më 4 shkurt të vitit 1914, ura ekzistuese e Bahçallëkut, lidh qytetin e Shkodrës me pjesën tjetër të tij, që shtrihet përtej rrugëtimit të Drinit e të Kirit për në Bunë.

Njëkohësisht ajo mundëson komunikimin e qytetit me pjesën tjetër vendit, duke shërbyer si arterie e qenësishme komunikimi të një prej qendrave më të rëndësishme historike, ekonomike dhe kulturore. Ajo është ndërtuar në vitin 1914 me projektues austriak, konstruksioni i së cilës ka ardhur deri në ditët tona.

/m.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›