Begaj për aksidentin në Durrës: Masa për rritjen e sigurisë, hetim për ngjarjen

TIRANË, 3 maj/ATSH/ Presidenti Bajram Begaj shprehu sot tronditjen e thellë për aksidentin e tmerrshëm në Durrës, ku humbën jetën dy vogëlushë dhe një tjetër u plagos shumë rëndë.
Në një reagim në rrjetet sociale, Begaj kërkoi nga institucionet përgjegjëse të marrin masa për rritjen e sigurisë në qarkullim.
“Lutem me përunjësi për shpirtrat e tyre. Ngushëllimet e mia më të sinqerta për prindërit dhe familjarët e dy engjëjve të vegjël. Uroj shërim për fëmijën që ndodhet i shtruar në spital”, tha Begaj.
Kreu i shtetit theksoi se “institucionet përgjegjëse të marrin masa për rritjen e sigurisë në qarkullim, të bëjnë një hetim shterues për ngjarjen dhe qytetarët të rrisin përgjegjshmërinë për zbatimin e ligjit”.
“Jeta dhe siguria e qytetarëve është e shenjtë”, tha Begaj.
/k.s/r.e/