E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: për ngjarjen në Durrës: Tragjedi e pangushëllueshme, mediet të tregojnë përgjegjësi

TIRANË, 3 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot lidhur me aksidentin tragjik në Durrës, ku ku humbën jetën dy fëmijë dhe një tjetër u plagos rëndë.

Rama i shprehu ngushëllimet familjeve që humbën dy fëmijët e tyre si dhe i uroi shërim fëmijës që ndodhet në spital.

“Sapo kemi zbritur në Erevan të Armenisë për Komunitetin Politik Europian dhe kam mësuar për tragjedinë e pangushëllueshme të humbjes së dy fëmijëve, ndërkohë që fëmija i tretë lufton për jetën nën kujdesin e mjekëve. Zoti bekoftë dy shpirtrat e vegjël, u dhëntë forcën e jashtëzakonshme prindërve për t’i mbijetuar dhimbjes së madhe, ndërkohë që bashkohem në lutjet për shërimin e fëmijës në spital”, shkruan Rama.

Gjithashtu, Kryeministri Rama u ka bërë thirrje medieve të tregojnë “vetëpërmbajtje, ndjeshmëri dhe përgjegjësi”.

Ai thekson se publikimi i pamjeve të rënda nga aksidenti tragjik vetëm shton dhimbjen e atyre që po përballen me një humbje të pakthyeshme.

“Ndërsa i gjithë vendi është në pikëllim për këtë ngjarje dhe drejtesia bën punën e saj me autorin, është detyrë e të gjithëve po veçanërisht e medieve e portaleve, të tregojnë vetëpërmbajtje, ndjeshmëri dhe përgjegjësi. Publikimi apo shpërndarja e pamjeve të rënda nuk informon, por vetëm shton dhimbjen e atyre që po përballen me një humbje të pakthyeshme dhe e hienizon botën e informacionit. Respekti për dinjitetin njerëzor dhe dhimbjen e të prekurve drejtëpërdrejt duhet të jetë mbi çdo sensacion apo klikim. Le të tregojmë solidaritet, humanizëm dhe njerzillëk në një ditë tragjike si kjo”, apelon Rama.

Si pasojë e aksidentit të ndodhur sot në Durrës, dy të mitur kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër është në gjendje të rëndë dhe ndodhet për ndihmë më të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›