Begaj pret Costa-n: Zgjerimi i BE-së, investim strategjik për paqen

TIRANË, 2 qershor /ATSH/ Presidenti Bajram Begaj, priti sot presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa i cili ndodhet në Tiranë si pjesë e turit të tij ballkanik.
Gjatë këtij takimi u vlerësua progresi i spikatur i vendit tonë në procesin e negociatave, përfshirë mbajtjen e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare BE–Shqipëri, e cila konfirmoi përmbushjen e kritereve ndërmjetëse për Grupkapitullin 1 “Themeloret”.
Presidenti Begaj i përcolli bashkëbiseduesit vendosmërinë e Shqipërisë për të plotësuar agjendën dhe objektivat për mbylljen e grupkapitujve brenda vitit 2027.
“Reforma në drejtësi, forcimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe përputhja e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së dëshmojnë se Shqipëria është një partner i besueshëm dhe vullnetplotë për të qenë pjesë e familjes evropiane”, u shpreh Kreu i Shtetit.
“Zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor nuk është vetëm një proces integrimi, por një investim strategjik për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e gjithë kontinentit evropian”, deklaroi Presidenti Begaj duke falënderuar Presidentin Costa për prioritizimin e procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë mandatit të tij.
“Shqipëria është mirënjohëse për mbështetjen e fuqishme që Këshilli dhe Komisioni po i japin Shqipërisë në këtë rrugëtim. Shqipëria do të vijojë me ritëm të shpejtë dhe rezultate konkrete në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.. Jemi të bindur se reformat nuk i bëjmë vetëm si kërkesa të BE-së, por mbi të gjitha për qytetarët tanë”.
1 nga 6/gj.m/j.p/r.e/