E Diel, 1 Nëntor 2026

Energji e emocione në koncertin e kantautorit italian të hiteve të jazz-it Mario Bondi në Tiranë

TIRANË, 2 qershor/ATSH/ Koncerti i këngëtarit të njohur të soul dhe jazz-it, Mario Biondi, u mbajt mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Ky event u organizua në kuadër të 20-vjetorit të hitit të tij legjendar “This Is What You Are” dhe Javës Kulturore Italiane e cila nisi më 31 maj dhe do të vijojë me aktivitete të larmishme deri më 6 qershor.

“Një mbrëmje e mbushur me energji, muzikë dhe emocione që do të mbeten gjatë në kujtesë”, u cilësua ky koncert nga Ambasada italiane në Tiranë.

Biletat për këtë koncert u shitën në kohë rekord. Publiku kryeqytetas pati mundësinë të përjetonte nga afër magjinë e një artisti që ka lënë gjurmë në skenat ndërkombëtare.
Energjia, timbri i veçantë që e ka bërë të njohur në mbarë botën dhe prezenca skenike e Mario Biondi-t krijuan një përvojë unike për spektatorët.

Pas kësaj mbrëmjeje në Tiranë, artisti do të vijojë turin ndërkombëtar me performanca të tjera në qytete të ndryshme evropiane gjatë muajit qershor: më 5 qershor do të jetë në Paris, më 7 qershor në Londër, më 9 qershor në Edinburgh dhe 10 qershor në Glasgow.

Mario Biondi (1971), emri i vërtetë i të cilit është Mario Ranno, është kantautor italian me famë ndërkombëtare, i njohur për zërin e tij të thellë, të ngrohtë dhe stilin elegant. Ai performon kryesisht në anglisht dhe është një nga zërat kryesorë të muzikës soul, jazz dhe R&B në Itali.

1 nga 5

/j.p/r.e/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›