E Diel, 1 Nëntor 2026

Begaj takon të diplomuarit e Shkollës së Studimeve Politike

TIRANË, 2 qershor /ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj prit sot të diplomuarit e rinj të Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike.

Gjatë këtij takimi, Begaj i përgëzoi për përfundimin e programit, duke u shprehur se njohuritë e marra në këtë shkollë duhet t’i përdorin nesër si qytetarë aktivë të jetës publike.

Presidenti e inkurajoi këtë brez të sapodiplomuarish që të dëshmojnë lidership dhe përgjegjësi për të kontribuar në shoqërinë shqiptare.

Gjatë bashkëbisedimit, një vend i veçantë iu kushtua procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Presidenti Begaj evidentoi faktin se vendi ndodhet në një fazë të rëndësishme të këtij procesi: atë të mbylljes së negociatave, që i hap rrugë anëtarësimit të plotë në BE.

“Faza në të cilën ndodhemi kërkon shumë më shumë punë, shumë më shumë angazhim dhe shumë më shumë bashkëpunim për konsolidimin e shtetit ligjor, për të ndërtuar institucionet demokratike, për forcimin e  lirive e të drejtave të njeriut, për forcimin e medias dhe për dialog gjithëpërfshirës e konstruktiv”, theksoi Begaj, duke nënvizuar rëndësinë e përmbushjes së ëndrrës dhe aspiratës së kahershme shqiptare për ta bërë Shqipërinë si Evropa me anëtarësimin e plotë të saj në BE.

Sipas Presidentit, anëtarësimi në BE është dhe përgjegjësi e madhe në përmbushjen e reformave që kanë të bëjnë me standardizimin e të gjithë sektorëve të shoqërisë sonë në atë nivel që kërkon Bashkimi Evropian.

Në këtë linjë, Begaj theksoi nevojën për vijimin e reformave transformuese që dëshmojnë pjekurinë e shtetit dhe të shoqërisë për t’iu përgjigjur sfidave të së ardhmes si një investim afatgjatë.

“Ju jeni ata që do të ndërtoni të ardhmen”, u shpreh Presidenti Begaj gjatë bashkëbisedimit më të rinjtë, duke i mbështetur ata në thellimin e njohurive të marra dhe për pjesëmarrjen në jetën shoqërore.

Forcimi i demokracisë në vend dhe rritja e përgjegjësisë në vendimmarrje u cilësuan në këtë takim si elementë thelbësore për zhvillimin e mëtejshëm të vendit për plotësimin e standardeve evropiane.

Presidenti i Republikës vlerësoi dhe rolin e Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike në ndërtimin e një kulture të re politike dhe qytetare me frymë evropiane e me ndikim në shoqërinë shqiptare. Një falënderim të veçantë Begaj përcolli dhe ndaj Këshillit të Evropës për mbështetjen e dhënë, duke theksuar rëndësinë për forcimin e këtij partneriteti.

1 nga 3

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›