E Diel, 1 Nëntor 2026

Begaj uron Kosovën për fitoren ndaj Sllovakisë: Kualifikim historik drejt finales së “play-off”-it

TIRANË, 27 mars /ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka uruar përfaqësuesen e Kosovës për fitoren ndaj Sllovakisë në ndeshjen e parë të “play-off”-it për në Botërorin 2026.

“Urime Kosovë! Kualifikim historik!”, shkruan Begaj në një postim në rrjetet sociale.

Kosova ka regjistruar një nga fitoret më të rëndësishme në historinë e saj futbollistike, duke triumfuar me përmbysje spektakolare 3-4 në Bratislavë, në një ndeshje të mbushur me emocione që e çon në finalen e madhe të “play-off”-it.

Sfida nisi në disavantazh për “Dardanët”, pasi Martin Valjent kaloi vendasit në avantazh që në minutën e 6-të. Reagimi i Kosovës erdhi në minutën e 31-të me golin e Veldin Hoxha, që riktheu baraspeshën. Megjithatë, në fund të pjesës së parë Lukas Haraslin shënoi për 2-1 në favor të Sllovakisë.

Në pjesën e dytë, Kosova dominoi lojën. Fisnik Asllani barazoi rezultatin në 2-2, ndërsa Florent Muslija përmbysi shifrat në 3-2 në minutën e 60-të. Goli i Kreshnik Hajrizi në minutën e 72-të vulosi fitoren, duke çuar rezultatin në 4-2, ndërsa goli i tretë i vendasve në minutat shtesë mbeti vetëm për statistikë.

Me këtë sukses, Kosova siguron finalen e “play-off”-it, ku do të përballet me Turqinë më 31 mars, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në një përballje vendimtare për kualifikimin në Kampionatin Botëror 2026.

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›