Beja: Angazhim për forcimin e sigurisë në pikat doganore

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi sot drejtorin e ri të përgjithshëm të Doganave, Besmir Beja. Beja zëvendëson në këtë post Gent Gazhelin.
Gjatë prezantimit, Beja, theksoi se prioritetet kryesore të punës së tij do të jenë rritja e angazhimit dhe përgjegjshmërisë së të gjitha strukturave doganore, forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe avancimi i mëtejshëm i proceseve integruese, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.
Një vëmendje e veçantë, sipas tij, do t’i kushtohet përfshirjes dhe zgjerimit të sistemeve inteligjente dhe teknologjive moderne, me qëllim rritjen e eficiencës, transparencës dhe kontrollit në proceset doganore, si dhe rritjes së të ardhurave buxhetore përmes luftës ndaj informalitetit dhe evazionit.
Po ashtu, ai nënvizoi angazhimin për forcimin e sigurisë në pikat doganore, garantimin e kontrollit efektiv të kufijve dhe mbrojtjen e interesit publik, duke siguruar një mjedis të sigurt dhe të besueshëm për qytetarët dhe biznesin.
1 nga 2/a.f/