E Diel, 1 Nëntor 2026

Beja takon kreun e OBD-së, në fokus përshpejtimi i digjitalizimit dhe integrimi në BE

TIRANË, 17 prill/ATSH/ Në kuadër të pjesëmarrjes në Takimin Vjetor të Drejtuesve të Doganave të rajonit të Evropës, që po zhvillohet në Bruksel, drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, zhvilloi një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Doganave, Ian Saunders.

Gjatë takimit u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Administratës Doganore Shqiptare dhe Organizatës Botërore të Doganave, me fokus në mbështetjen e proceseve modernizuese, zhvillimin e kapaciteteve institucionale dhe përshpejtimin e digjitalizimit të shërbimeve doganore.

Beja vlerësoi rolin kyç të Organizatës Botërore të Doganave në orientimin e reformave dhe promovimin e standardeve ndërkombëtare, duke theksuar angazhimin e Shqipërisë për avancimin e praktikave doganore në përputhje me modelet më të mira evropiane dhe globale.

Ai nënvizoi gjithashtu prioritetet drejt përmbushjes së kritereve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të cilat në fushën e doganave përqendrohen në përafrimin e plotë të legjislacionit, zbatimin e 24 sistemeve të reja të teknologjisë së informacionit, përdorimin e Inteligjencës Artificiale në analizën e riskut, si dhe forcimin e burimeve njerëzore për të përballuar sfidat e procesit të integrimit.

Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i OBD-së, Ian Saunders, shprehu gatishmërinë për vijimin e mbështetjes ndaj Administratës Doganore Shqiptare, veçanërisht në drejtim të lehtësimit të tregtisë dhe rritjes së efikasitetit operacional.

Takimi konfirmoi vullnetin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit dhe avancimin e reformave në sektorin doganor, në funksion të një tregtie më të sigurt dhe më të lehtësuar.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›