E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Beqaj në burg për abuzimet me fondet e SASPAC, SPAK i kontrollon banesën në Vlorë

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kryer kontrolle në banesën e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj në Vlorë. Bëhet me dije se agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, së bashku me forcat e policisë së Vlorës dhe forcat zjarrfikëse kanë hapur derën e banesës së ish-ministrit. Nuk dihet ende se çfarë është gjetur brenda banesës.

Avokati i Beqajt, Ermal Yzeiraj ke reaguar, teksa pretendon se baneswn nw fjalw ish-ministri e patur me qira në vitin 2020 dhe se nuk është përdorur më prej tij.

“Një kontroll i tillë është veçse një tentativë e dëshpëruar (në nivelet e një fiksimi) për të gjetur me çdo kusht një arsye që z. Ilir Beqaj të mbahet në burg dhe tregon që arsyet e deritanishme nuk paskan qenë dhe kaq bindëse sa pretendohej se ishin. Përkundrazi të gjitha veprimet e deritanishme për mbajtjen e z. Beqaj me masë sigurie arrest në burg janë haptazi në kundërshtim me jurisprudencën e GJEDNJ”, shprehet avokati.

Beqaj ndodhet në burg, i akuzuar për abuzime me fondet kur ai drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC). Beqaj u ndalua më 4 korrik me akuzën për prokurime fiktive në të paktën 8 raste në kohën kur ishte drejtor i përgjithshëm i SASPAC-it.

Sipas SPAK prokurimet fiktive nuk kalonin përmes procedurave të rregullta ligjore. Abuzimet dyshohet se bëheshin mes Ilir Beqajt në bashkëpunim me Ermal Kurtulaj, gjithashtu i arrestuar, i cili në atë periudhë drejtonte projektin EUSAIR, pjesë e SASPAC përgjatë viteve 2022–2023.

Reagimi i plotë i avokatit:

Pasi e sqarova oficerin përkatës të SPAK që z. Ilir Beqaj nuk ka asnjë apartament në pronësi në Vlorë ai kërkoi ndjesë se ishte shprehur gabim dhe sqaroi që bëhet fjalë për një banesë që z. Beqaj nuk e ka në pronësi, por e ka patur me qira sipas një kontrate qiraje të vitit 2020.

Përgjigja ime ishte që nëse bëhet fjalë për shtëpinë që z. Beqaj ka patur me qira dhe që e ka deklaruar dhe në ILDKPKI, kjo kontratë qiraje e 2020 ka kohë që nuk është më në fuqi dhe z. Ilir Beqaj ka kohë që nuk e përdor më këtë shtëpi me qira, prandaj unë si avokat nuk kisha përse të nisesha nga Tirana për në Vlorë për të marrë pjesë në kontrollin e një banesë që ishte në pronësi dhe në përdorim të dikujt tjetër dhe madje një kërkesë e tillë ishte dhe tërësisht e paligjshme. Z. Ilir Beqaj nuk është as qiramarrës dhe as posedues i këtij apartamenti. Madje nuk ka sens logjik që z. Beqaj të jetë përdorues i këtij apartamenti kur të gjithë e dinë që z. Ilir Beqaj është tashmë në ambientet e paraburgimit.

Një kontroll i tillë është veçse një tentativë e dëshpëruar (në nivelet e një fiksimi) për të gjetur me çdo kusht një arsye që z. Ilir Beqaj të mbahet në burg dhe tregon që arsyet e deritanishme nuk paskan qenë dhe kaq bindëse sa pretendohej se ishin. Përkundrazi të gjitha veprimet e deritanishme për mbajtjen e z. Beqaj me masë sigurie arrest në burg janë haptazi në kundërshtim me jurisprudencën e GJEDNJ.

Pyetja kryesore që të gjithë duhet ti bëjnë SPAK në këto momente, përfshirë edhe vetë Gjykatën, është: mbi çfarë provash bazohet dyshimi i ikjes së z. Beqaj, i prishjes prej tij të ndonjë prove apo i kryerjes së ndonjë vepre tjetër penale, kur deri më tani z. Beqaj ka qëndruar për muaj me radhë mbi prova, brenda ambienteve të Gjykatës së Posaçme dhe vetëm ka kontribuar për inventarizimin e tyre (kërkuar kjo nga vetë Gjykata e Posaçme)???

Urojmë që gjykatat të reflektojnë dhe mos jenë thjesht noterë të kësaj gjuetie të paligjshme!

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›