E Diel, 1 Nëntor 2026

Bergner: Arsimi profesional, shtylla kurrizore e ekonomisë

TIRANË, 9 qershor/ATSH/ Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner vlerësoi sot rëndësinë e arsimit dhe formimit profesional si shtyllë qendrore e zhvillimit ekonomik dhe rritjes së punësimit në vend, gjatë Konferencës së 3-të Kombëtare të Arsimit dhe Formimit Profesional, ku u diskutuan rezultatet e reformave dhe vizioni “Aftësi 2030”.

Në aktivitet, ku morën pjesë kryeministri Edi Rama, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj, si dhe përfaqësues të institucioneve vendase dhe partnerëve ndërkombëtarë, u theksua roli i arsimit profesional në përgatitjen e forcës së punës sipas nevojave të tregut.

Ambasadori Bergner u shpreh se është shumë e rëndësishme që politikëbërësit, administrata, punëdhënësit, ofruesit e trajnimeve dhe partnerët e zhvillimit të ndajnë pikëpamje dhe të bashkëpunojnë për të ardhmen e zhvillimit të aftësive në Shqipëri.

Ai theksoi se shpesh arsimi akademik shihet si rruga e vetme, por kjo, sipas tij, është një qasje e gabuar, pasi arsimi profesional është shtylla kurrizore e ekonomive moderne dhe baza për inovacion dhe zhvillim të qëndrueshëm.

“Arsimi profesional nuk është vetëm rrugë drejt punësimit, por edhe një mundësi për karriera të qëndrueshme dhe të suksesshme, ku përfitojnë individët, bizneset dhe shoqëria”, theksoi Bergner.

Ai vlerësoi përparimet e bëra nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit në hartimin e strategjisë së aftësive 2023-2030, si dhe përmirësimin e sistemit të formimit profesional në përputhje me nevojat e tregut të punës dhe sektorit privat.

Ambasadori gjerman nënvizoi gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë në këtë sektor përmes instrumenteve të bashkëpunimit zhvillimor, duke përmendur bashkëpunimin teknik GIZ dhe mbështetjen financiare përmes KfW-së në investime infrastrukturore.

Ai veçoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar me partnerë si Zvicra, OKB-ja dhe Bashkimi Evropian, duke theksuar se ky koordinim ka ndihmuar në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe zhvillimin e sistemit të arsimit profesional në Shqipëri.

Bergner bëri të ditur se në negociatat dypalëshe të prilli mes Gjermanisë dhe Shqipërisë është angazhuar një paketë prej 14 milionë eurosh për sektorin e arsimit dhe formimit profesional për vitet e ardhshme.

“Në negociatat dypalëshe të fundit mes Gjermanisë dhe Shqipërisë kemi angazhuar 14 milionë euro shtesë për sektorin e arsimit dhe formimit profesional për vitet e ardhshme”, tha ai.

Ambasadori theksoi se në një kontekst global të karakterizuar nga pasiguri gjeopolitike, ndryshime teknologjike dhe transformime ekonomike, investimi në aftësi dhe kapital njerëzor është më i rëndësishëm se kurrë.

Sipas tij, sistemi i arsimit profesional duhet të mbetet fleksibël, i bazuar në kompetenca dhe i aftë të përshtatet me dinamikat e tregut të punës, veçanërisht në fusha si digjitalizimi dhe tranzicioni i gjelbër.

“Sistemi i arsimit dhe formimit profesional duhet të bazohet fuqishëm në kompetencat teknike dhe të përshtatet me dinamikat e tregut të punës, veçanërisht në fushat e digjitalizimit dhe tranzicionit të gjelbër”, deklaroi ambasadori.

Ai vlerësoi gjithashtu rolin e mësuesve dhe trajnerëve në këtë proces, duke i cilësuar ata si burimin kryesor të njohurive dhe një faktor kyç për cilësinë e arsimit profesional, duke shprehur mirënjohje për angazhimin e tyre.

“Investimi në mësues dhe trajnerë, si dhe në infrastrukturën moderne të mësimdhënies, është investim afatgjatë me shumë vlerë për cilësinë e arsimit profesional”, tha Bergner.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›