Berisha – diasporës: Mos e fotografoni votën, qëndroni qytetarë të lirë

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha prezantoi sot kandidatët për deputetë të koalicioni “PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore” në qarkun e Korçës.
Në fjalën e tij, Berisha u bëri thirrje shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit që mos të fotografojnë votën.
“I bëj thirrje diasporës që po voton këto ditë, asnjë votë mos fotografoni, qëndroni qytetarë të lirë të këtij vendi, qytetarë të lirë aty ku jeni. Votoni ndryshimin, votoni shpëtimin e Shqipërisë.
Dhe ata që nuk mundën të regjistrohen, të bëjnë gjithçka, të vërshojnë drejt Korçës dhe Shqipërisë më 11 maj, ditën e fitores”, u shpreh Berisha.
Berisha po ashtu iu bëri thirrje nëpunësve të shtetit që mos të votojnë PS-në.
“Ju, nëpunësit e këtij shteti që zbatoni ligjin dhe u shërbeni qytetarëve, besnikëri ndaj ligjit, ju garantoj se jeni dhe do mbeteni njerëz të respektuar. Ndaj dhe thirrja ime për ju është, në takime nuk keni ç’bëni do shkoni, se ju pushojnë nga puna, por votën mos ia jepni atij, votën mos ja jepni. Votoni për vëllezërit, motrat tuaja, votoni për dinjitetin tuaj. Votoni në mënyrë që në 11 maj, të shkojë atje ku e meriton”, tha Berisha.
/r.e//a.f/