Berisha: Asnjë votë për ata që i ftuam të jenë në koalicion dhe nuk erdhën

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha prezantoi sot kandidatët për deputetë të koalicionit “PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore” në qarkun e Korçës.
Në fjalën e tij Berisha u kërkoi qytetarëve që mos të votojnë partitë e vogla që nuk janë në koalicion me Partinë Demokratike.
“U bëj thirrje të dashur qytetarë, asnjë votë, asnjë votë për ata të cilët i ftuam të jenë në koalicion me ne, në mënyrë që çdo votë shqiptare të vinte për fitoren e opozitës. Dhe nuk gjetën forca të vijnë”, tha Berisha.
Berisha shtoi “jo miq, i ftova vetëm në emrin tuaj dhe në interesin tuaj. Se vetë, aspak nuk doja t’i ftoja, por nuk doja që asnjë votë e popullit opozitar të përçahej, të ndahej”.
“Nuk erdhën dhe tani thonë; jo, ne nuk jemi për rotacionin, jo ne jemi kundër sistemit. Hë, heqin maskat. Atëherë qytetarë i leni në vetminë e tyre këta, që të kishin patur në karakter 1/10 e Ilir Vrenozit ishin midis nesh sot, por s’e patën”, tha Berisha.
/r.e/a.f/