E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: 17-vjetori i anëtarësimit në NATO, ëndërr e bërë realitet

TIRANË, 2 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përkujtoi 17-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duke e cilësuar si “mrekullinë më të madhe të lirisë” pas pavarësisë së vendit.

Në një reagim në rrjetet sociale, Berisha vlerësoi rolin e NATO-s në mbrojtjen e qytetërimit perëndimor.

“Më 1 prill të vitit 2009 Aleanca e Atlantikut të Veriut vendosi të pranojë Shqipërinë, ish-vendin komunist për 46 vite me propagandën më armiqësore ndaj saj, si anëtare të plotë të saj. Por duhet të theksojmë se pa dyshim edhe vetë themelimi i Aleancës së Atlantikut të Veriut, pas Luftës së Dytë Botërore, aleancë midis palëve ndërluftuese është mrekullia më e madhe e qytetërimit perëndimor në shekullin e 20-të”, tha Berisha.

Sipas Berishës “kërkesa e Shqipërisë për anëtarësimin në NATO dhe bashkëpunimi me këtë Aleancë u pritën me kundërshti të forta, por edhe me rezoluta anti-NATO në parlament nga PS, por jo nga fraksioni pro-atlantist i kësaj partie dhe nga populli shqiptar”.

Berisha theksoi se “suksesi i reformave të thella dhe të gjithanshme, lufta me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe lufta e vendosur kundër korrupsionit, suksesi i reformave në ekonomi, ushtri dhe fushën e sigurisë, dëshmuan para aleatëve të NATO-s seriozitetin e përpjekjeve të Shqipërisë për zbatimin e Planit të Veprimit”.

Berisha vlerësoi kontributin e ish-presidentit, George W. Bush në mbështetjen e anëtarësimit të Shqipërisë.

“Një rol të veçantë në këtë proces ka pasur mbështetja e presidentit të SHBA George w. Bush i cili gjatë vizitës më 10 qershor 2007 do deklaronte: “Shqipëria në NATO”. Me këtë rast shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata zyrtarë shqiptarë dhe të huaj në veçanti presidentit George W. Bush që kontribuan në mrekullinë e lirisë, realizimin e ëndrrës më të bukur të shqiptarëve anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Një mirënjohje të pakufishme për NATO-n dhe vendet anëtare, rolin e tyre përcaktues në çlirimin e Kosovës”, u shpreh ai.

Kreu i PD-së akuzoi qeverinë aktuale se ka larguar vendin nga standardet demokratike, ndërsa u bën thirrje forcave proatlantiste për reagim dhe rivendosje të vlerave të lirisë dhe demokracisë.

“Të gjithë forcat proatlantiste në Shqipëri të ngrihen në kryengritje paqësore të pandërprerë për rivendosjen e vlerave demokratike të lirisë që qëndrojnë në themelet e Aleancës së Atlantikut të Veriut”, shkruan ai.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›