Berisha: 18% e zarfeve nuk mbërriti në KQZ, DHL i shpërndau edhe pas ditës së votimit

TIRANË, 8 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një deklaratë për mediet denoncoi sërish sot atë që ai e cilëson si “farsën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit”.
Kreu i PD-së u ndal te problematikat, sipas tij, të hasura në votën e diasporës dhe konkretisht me problematikat e konstatuara me DHL-në.
“Siç kam deklaruar, procesi i votës së diasporës u shtetëzua nga narkoshteti. Tani shkelja e kontratës. Numri total i miratuar i votuesve ishte 245.935. Numri i zarfeve të dërguara është po kaq. Zarfe të mbërritura në KQZ janë gjithsej 202.309 zarfe, pra 18% e atyre që iu nis zarfi, zarfi mbeti rrugës. Në Itali kjo shifër është 17%; Në Gjermani kjo shifër është 15%; Në SHBA kjo shifër është 16%; Në Britaninë e Madhe kjo shifër 27%; Në Francë 25%; Në Greqi 19%”, tha Berisha.
Berisha shtoi se pati mungesë informacioni nga KQZ për zarfet e kthimit të votave nga diaspora, në mënyrë që të mbyllet procesi i çdo vote në bazë të kodit unik të çdo zarfi.
“Rezulton se DHL i ka mbajtur vetë zarfet për shumë ditë pa i shpërndarë, deri në 2-3 javë në magazinat e veta. Shpërndarje zarfesh ditët e fundit para zgjedhjeve sipas informacionit të KQZ, duke mos u lënë kohë votuesve që të dorëzojnë mbrapsht zarfet”, tha Berisha.
Po ashtu sipas Berishës u bë “shpërndarje e zarfeve me vonesë duke mos lënë mundësi për tre tentativa nga ana e DHL, siç kërkon kontrata”.
Berisha shtoi se problematike ishte edhe “shpërndarje e zarfeve edhe pas ditës së votimit duke bërë absurd tërë procesin dhe duke u mohuar të drejtën e votuesve dhjetëra-mijëra votuesve”.
Sipas Berishës pati edhe shkelje ligjore të DHL me kontraktimet.
“Vendimi numri 13 i Komisionit Rregullator datë 12.11.2024 përcakton: fletët e votimit duhet të dërgohen individualisht tek votuesi. DHL nuk i ka dërguar individualisht, ka dështuar. Dorëzimi duhet të bëhet në adresën e deklaruar. DHL ka dështuar. Fletët e votimit duhet të dorëzohen përmes një shërbimi ekspres. DHL ka dështuar. Shkelje e kontratës së DHL me kontraktimet”, tha Berisha.
Berisha nënvizoi ndër të tjera se, “nga shqyrtimi i informacionit zyrtar të DHL, vetëm dorëzimi i zarfeve tek votuesit, rezulton: Qindra fatura të DHL janë pa firmën e marrësit. Asnjë vlerë ligjore. Qindra fatura të DHL kanë vetëm një vizë në vend të firmës. Qindra fatura të DHL kanë simbole dhe shenja të qarta, yllin me pesë cepa, logo e fushatës së PS, fjongo, germa, sipas porosisë nga qendra, në mënyrë që të kontrollohej vota e diasporës”.
Berisha u shpreh se vota e diasporës është kontrolluar, patronazhuar një çdo fazë të procesit.
/m.q//r.e//a.f/