E Martë, 3 Nëntor 2026

Salianji: Burgosja ime asnjë përfitim për vendin, vetëm regres demokratik

TIRANË, 8 korrik/ATSH/ Pas afro 10 muajsh burg politik, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, u lirua sot dhe mbajti një konferencë për mediat nga selia blu.

Ai e cilësoi burgosjen e tij si një dënim politik të paprecedentë në 34 vite pluralizëm në Shqipëri, për shkak të një denoncimi publik që, faktoi përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm në trafik ndërkombëtar droge.

Salianji theksoi se dënimi i tij nuk kishte të bënte me ndonjë vepër penale konkrete, por ishte një mesazh i qartë i qeverisë për të intimiduar kundërshtarët politikë dhe qytetarët që ngrihen kundër pushtetit. Salianji akuzoi sistemin e drejtësisë për kapje nga mazhoranca, duke përmendur me emra gjyqtarë që, kanë lidhje të afërta politike me Partinë Socialiste.

“U dënova për të rrëzuar qeverinë dhe për të zbuluar lidhjet e saj me kartelet e drogës. Ata që mbrojnë trafikantët janë të lirë, ndërsa ai që denoncoi u burgos”, u shpreh Salianji.

Ervin Salianji shtoi se, ndonëse e konsideron të padrejtë burgimin e tij, ai e ka marrë si një sakrificë personale në mbrojtje të interesit publik dhe lirisë së fjalës.

Ai paralajmëroi se do të vijojë denoncimet e tij ndaj abuzimeve të pushtetit dhe kapjes së institucioneve, veçanërisht drejtësisë.

/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›