Berisha: Agjentë të infiltruar mashtruan kryengritësit se në shtëpinë e ish-diktatorit banon Rama

TIRANË, 28 shkurt /ATSH/ Pas përfundimit të protestës marshim, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi si “marsh të fitores”, ndërsa shtoi se protestuesit janë “heronj të vërtetë”.
Sipas Berishës, kjo datë “do gdhendet me germa të arta në historinë e kryengritjes paqësore të shqiptarëve kundër narkoshtetit”.
Sa i përket sulmit me koktej molotov në drejtim të ish-vilës së diktatorit Enver Hoxha, Berisha tha se “agjentë të infiltruar mashtruan kryengritësit se në shtëpinë e ish-diktatorit banon Edi Rama”.
“Kjo ngjalli një revoltë të pakufishme dhe bëri ata që ata t’i përvishen asaj banese. E gjithë beteja ishte shpërthim urrejtje ndaj Edi Ramës dhe jo ndaj ndërtesave. Por, Edi Rama nuk banonte aty miq. Edi Rama banonte tek vila e Mehmet Shehut. Kjo është e vërteta. Për sqarim”, tha Berisha.
Berisha ndër të tjera e cilësoi protestën si “revoltë paqësore”.
Kreu i PD-së theksoi se më protestën e sotme “arritën një rekord të ri” dhe se nuk ka gjë që i ndal në rrëzimin e qeverisë.
Gjithashtu Berisha dënoi sipas tij “dhunën jashtë çdo lloj shkaku të përdorur ndaj protestuesve”.
/m.q/a.f/