NJU DELHI – India mbyll hapësirën ajrore për avionët pakistanezë mes tensioneve në rritje në Kashmir

NJU DELHI, 30 prill /ATSH-DPA/- India ka mbyllur hapësirën ajrore për linjat ajrore pakistaneze, raportoi sot media lokale, ndërsa tensionet vazhdojnë të përshkallëzohen midis dy vendeve – pas një sulmi terrorist vdekjeprurës në rajonin e diskutueshëm të Kashmirit.
“Të gjitha avionët e regjistruar në Pakistan dhe të operuar nga kompanitë pakistaneze, përfshirë fluturimet ushtarake janë prekur”, raportoi transmetuesi indian NDTV, duke cituar një deklaratë nga autoritetet.
Ndalimi do të mbetet në fuqi deri më 23 maj.
Pakistani tashmë e ka mbyllur hapësirën e tij ajrore për avionët indianë – si pjesë e krizës diplomatike që nga sulmi i 22 prillit, kur disa sulmues të armatosur vranë 26 persona, kryesisht turistë indianë, në një vendpushim në pjesën e administruar nga India të Kashmirit.
Nju Delhi fajëson një grupin militant që dyshohet se vepron nga Pakistani, gjë që Islamabadi e ka mohuar.
Që atëherë, të dy vendet kanë vendosur masa ndëshkuese, kanë dëbuar qytetarët e njëri-tjetrit dhe kanë ndërprerë marrëdheniet diplomatike.
Ministri pakistanez i Informacionit, Attaullah Tarar tha sot se vendi kishte “informacion të besueshëm” se India synonte të niste një sulm ushtarak në të ardhmen e afërt.
Ai paralajmëroi në X se çdo agresion do të përballej me një përgjigje vendimtare dhe se India po e përdorte sulmin si “një pretekst të rremë”. //a.i/