Berisha: Demokratët të marrin pjesë masivisht në protestë

TIRANË, 19 qershor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i bëri sot thirrje demokratëve të mbështesin jashtë çdo konotacioni partiak dhe me të gjithë forcën e tyre protestën qytetare kundër investimit në Zvërnec.
Gjatë një konference për shtyp, Berisha iu përgjigj interesimit të gazetarëve lidhur me faktin se dje protesta e qytetarëve u zhvendos para selisë së Partisë Demokratike.
Berisha e cilësoi këtë akt një provokacion të vogël, ndërsa u shpreh se “gjethet dhe degëzat” nuk duhet të pengojnë demokratët të shohin trungun madhështor të kësaj proteste rinore qytetare.
“Natyrisht thirrjet, përpjekja për të krahasuar Ramën me Berishën, janë që të gjitha, lidhen me opozitën e opozitës, vegël e qeverisë. Janë dhe të disa individëve, grupeve të vogla të paguara nga armiku i përjetshëm i saj i lirisë Xhorxh Soros dhe fondacioni i tij”, tha Berisha.
Berisha bëri thirrje që demokratët të marrin pjesë masivisht në këtë protestë dhe të mos harrojnë se ata janë forca më e fuqishme opozitare e vendit.
“Ata qëndruan dhe qëndrojnë si opozitë e pamposhtur dhe kanë dalë pas zgjedhjeve, kanë bërë punë të jashtëzakonshme për t’i faktuar botës mungesën e legjitimitetit të Edi Ramës dhe të mandatit të tij të katërt. Dhe ja kanë dalë. Me 8 protesta të mëdha kombëtare kanë kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës dhe qeveri teknike për zgjedhje të lira të ndershme. Çdo demokrat nuk duhet të harrojë se protesta aktuale, përfaqësuesit e saj, kanë 5 kërkesa të cilat nuk ka anëtar, simpatizant apo mbështetës i Partisë Demokratike që nuk i firmos.
Kanë largimin e menjëhershëm të Edi Ramës”, shtoi Berisha.
Po ashtu, Berisha kujtoi se kërkesë e protestës është anulimi i ligjeve të mbrojtjes së mjedisit, të zonave të mbrojtura dhe korporatës së investimeve strategjike, kundër të cilave Partia Demokratike ka luftuar me vendosmërinë më të madhe në komisionet parlamentare, në parlament dhe në gjykatë.
“Mbështeteni me të gjithë forcën tuaj këtë protestë jashtë çdo konotacioni partiak, mbasi pavarësisht se opozita e opozitës, vegël e qeverisë përpiqet ta përvetësojë, po nuk e përvetëson dot kurrë, as me një megafon as me pesë megafona, absolutisht jo”, tha ai.
/m.m/a.f/r.e/