Protesta kundër investimit në Zvërnec hyn në ditën e 20-të

TIRANË, 19 qershor /ATSH/ Protestuesit u mblodhën sot sërish në sheshin “Skënderbej” në ditën e 20-të radhazi dhe marshuan drejt godinës së Kryeministrisë.
Me pankarta dhe flamuj në duar ata përsëritën thirrjet e tyre për ndalimin e zhvillimit të projektit turistik në Zvërnec, dorëheqjen e qeverisë dhe kreut të PD-së, Berisha.
Gjatë marshimit të tyre protestuesit kanë kaluar edhe pranë disa qytetarëve që po shihnin ndeshjet e Botërorit në ekranet gjigante të vendosura në qendër të kryeqytetit nga bashkia dhe u kanë bërë thirrje që t’u bashkohen në protestë.
Aktivisti Arben Kola u ka bërë thirrje protestuesve që të shmangin çdo përplasje dhe të mos bien pre e provokimeve gjatë marshimit të zhvilluar drejt Kryeministrisë.
Në fjalën e tij para nisjes së tubimit, Kola u shpreh se qytetarët duhet të ruajnë qetësinë dhe të mos përfshihen në përshkallëzim të situatës, duke theksuar se çështjet që ngrihen në protestë duhet të trajtohen nga drejtësia.
“Nuk do të lejojmë përplasje dhe mos bini pre e provokimeve. Ne duam që me ata të merret drejtësia”, u shpreh Kola.
Ai u bëri thirrje edhe bizneseve që t’i bashkohen protestës, duke mbyllur aktivitetin përkohësisht gjatë zhvillimit të tubimit.
Një protestues u bëri hirrje qytetarëve për bashkim përtej ndarjeve politike.
Sipas tij, pjesëmarrja në shesh nuk duhet të shihet si përkatësi e së djathtës apo së majtës.
““Sot jemi këtu jo si të djathtë apo të majtë, por si shqiptarë. Kur bashkohemi, zëri ynë bëhet më i madh se çdo pengesë. Një flamur varet nga dy duar, por përfaqëson një popull të tërë. Jemi për të ngritur zërin tonë për të treguar se na intereson e ardhmja e vendit tonë”, tha ai.
“Erdha sot nga Franca dhe kam 20 vite që e ëndërroj këtë moment. Të mbushet shtëpia plot, jo vetëm nga ne që erdhëm, por edhe nga ju që keni qëndruar këtu 35 vite. Dua t’i them kryetrarëve të popujve të BE, populli që meriton të futet në Evropë është ky. Ne jemi Evropa, kemi nevojë për ju po aq sa keni ju nevojë për ne. Jemi popull demokrat. Faleminderit që na kthyet në Shqipëri”, u shpreh një qytetare.
Protestês iu bashkua edhe një turist nga Zvicra.” Dua t’ju them mos u dorëzoni, ju do të fitoni. Njerëzit e botës janë me ju”, tha ai.
Një nga aktivistët tha se protestës i janë bashkuar shumë turistë të huaj e sipas tij, ” protesta është bërë një arsye si atraksion turistik”.
Qytetarët sollën në protestë edhe një betoniere, simbolikë e pastrimit të parave në ndërtim. Kjo vjen pas disa goditjeve të SPAK kundrejt disa biznesmenëve shqiptarë të dyshuar si të përfshirë në grupe kriminale e që nëpërmjet investimeve në fushën e ndërtimit, pastronin paratë e trafikut të drogës.
Pas qëndrimit në shesh për disa orë ku mbajtën fjalime dhe pohuan se do vijojnë me protestat, qytetarët nisën marshimin në rrugët e kryeqytetit.
Aktivisti Arben Kola ka deklaruar se protestës pritet t’i bashkohen edhe qytetarë nga diaspora.
Dita e 20-të e protestës; Fotoreporter: Andrin Hoxha 1 nga 25/gj.m/r.e/