Berisha: Do ikim nga ky shesh me fitore, kemi mbështetje më shumë se kurrë

TIRANË, 24 nëntor /ATSH/ Partia Demokratike organizoi sot protestën e radhës para Kryeministrisë, një javë pas themelimit të foltores parlamentaro-qytetare.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në fjalën e tij tha se demokratët dhe opozitarët “në betejën e tyre me të keqen nuk janë vetëm, por kanë mbështetjen nga njerëz që e duan lirinë dhe të vërtetën, në mbarë botën”.
Berisha tha se koha po thërret sot çdo të ri shqiptar “që të jetë në këmbë për të shpëtuar vendin nga nga kjo katastrofë e vërtetë në të cilën rrokulliset”.
“Nuk ka popull në botë më të vjedhur. Është kushtrim për çdo shqiptar”, tha Berisha, teksa përmendi dëmet e krijuara si pasojë e motit të keq gjatë ditëve të fundit.
“Jemi i vetmi vend në botë që në një hark kohor 7-vjeçar janë shpenzuar 400 milionë euro për djegësit e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit. Asnjë prej tyre sot nuk ekziston”, tha Berisha.
Berisha paralajmëroi se do të mblidhen sërish para Kryeministrisë, deri në largimin, siç tha ai, të “hajdutëve nga qeveria”.
“Këtë vend këtu nuk e kemi zgjedhur kot. Jo, ta dini secili prej jush. Kërkohen sakrifica. Ne do mblidhemi këtu, ky është sheshi ynë, ky është sheshi i lirisë. Do e çlirojmë edhe atë ndërtesë. Erdhëm këtu për t’i qëndruar armikut përballë. Erdhëm këtu për të mos ikur kurrë nga ky shesh pa fitoren. Çdo shqiptar duhet ta dijë këtu se ky shesh, kjo foltore përmbush misionin e saj vetëm kur shqiptarët të largojnë këta hajdutë nga qeveria. Ndaj dhe u bëj thirrje shqiptarëve, shpirtit të tyre të protestës, idealeve të tyre të lirisë, karakterit dhe dinjitetit të tyre, të ngrihemi se këta hajdutë po vjedhin paratë, po vjedhin qenien tonë, po vjedhin të ardhmen tonë, po shkatërrojnë Shqipërinë”, tha Berisha.
Berisha ftoi qytetarët që të “vazhdojmë betejën tonë, një betejë e cila do të përmbysë narkodiktaturën”.
Fjalimi i Berishës mbylli tubimin e radhës, ndërsa protesta tjetër pritet të mbahet të hënën e ardhshme.
Protesta u zhvillua në formën e një foltorje, në të cilën mbajtën fjalën, deputetët demokratë si dhe qytetarë. Në protestë ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Partisë së Lirisë.
Foltorja parlamentaro-qytetare; Fotot: Andrin Hoxha 1 nga 3/m.q/r.e/