E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Do ridimensionojmë rolin e të rinjve dhe grave, hapemi drejt vlerave në të gjitha nivelet

TIRANË, 30 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike se PD do të nisë një proces të thellë ripërtëritjeje, modernizimi dhe riorganizimi, me fokus të veçantë fuqizimin e të rinjve dhe grave në të gjitha nivelet e partisë.

Berisha theksoi se PD do të rikthehet te modeli i organizimit mbi bazën e seksioneve, duke i pajisur ato me teknologjitë më të avancuara për të rritur komunikimin me qytetarët dhe për të përmirësuar transparencën.

“Ripërtëritja sigurisht është vizion. Por ripërtëritja është modernitet. Ne nuk e duam ripërtëritjen për veten tonë. Ne e duam atë për të ripërtërirë Shqipërinë”, tha ai.

Berisha tha se Partia Demokratike për t’u ripërtërirë ka nevojë për një riorganizim të plotë. “Partia Demokratike është partia e seksionit, është partia e seksionit, partia e seksionit. Ndaj edhe ne rikthehemi tek seksioni për fuqizimin e tij.  Në këtë ripërtëritje dhe organizim, ne do bëjmë çdo gjë të hapim partinë drejt vlerave në të gjitha nivelet. Por do bëjmë një diçka tjetër shumë të rëndësishme, duke njohur problemet tona, defektet tona. Ne duhet të ridimensionojmë me shpejtësi rolin e të rinjve dhe grave në Partinë Demokratike. Të rinjtë janë energjia, të rinjtë janë forca, të rinjtë janë gjithçka e çmuar për çdo forcë politike. Gratë janë shumica”, tha Berisha.

Berisha tha gjithashtu se PD-ja do të përdorë inteligjencën artificiale, dixhitalizimin dhe teknologjinë blockchain për të afruar më shumë qytetarët me vendimmarrjen politike dhe për t’u dhënë përgjigje më të shpejta problemeve të tyre.

Në fjalën e tij, Berisha tha se opozita do të vazhdojë betejën politike dhe institucionale për denoncimin e rasteve që, sipas tij, cenojnë demokracinë dhe shtetin ligjor.

Duke folur për integrimin europian, Berisha tha se PD ka qenë lokomotivë e proceseve integruese. Ai tha se procesi duhet të bazohet në meritë, respektimin e të drejtave të njeriut, funksionimin e shtetit ligjor dhe ekonominë e tregut.

“Edhe unë dua t’ju them këtu se ne qëndrojmë gardianë, ne qëndrojmë të pamposhtur në përpjekjen tonë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.  Ylli ynë polar është integrimi europian i Shqipërisë. Por ky integrim, i cili në të cilin një peshë të veçantë të madhe ka faktori gjeopolitik, dhe ne e respektojmë, ai është një realitet, është një faktor natyror. Ky integrim ne besojmë se duhet të bazohet para së gjithash në meritë”, tha Berisha.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›