Berisha: Do të bëjmë gjithçka të kthejmë kombin në moshën e rinisë

TIRANË, 25 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot gjatë një takimi në njësinë Nr. 4 në Tiranë, se PD përmes programit të saj do të bëjë gjithçka që 600 mijë të rinj që kanë ikur 10 vitet e fundit nga vendi, të kthehen pesë vite pa asnjë taksë.
“Do të bëjmë gjithçka të kthejmë kombin në moshën e rinisë. Vetëm një komb që ruan dhe jeton në moshën e rinisë së tij, është komb me të ardhme. Për fat të keq këto 12 vite shqiptarët humbën me shpejtësi të rrufeshme moshën e tyre të rinisë. Por, unë kam besim të madh tek Zoti, kam besim të madh tek qytetarët shqiptarë që ne do të rikthejmë përsëri dhe do ta vendosim këtë komb në moshën e rinisë së tij”, tha Berisha.
Berisha u ndal edhe te niveli i arsimit në vend, për të cilin tha se Shqipëria ka rënë në pikiatë në testin ndërkombëtar të cilësisë së arsimit. “Ramë si asnjë vend tjetër në botë, ramë me 68 pikë. Një rënie e tmerrshme. Ramë në vendin e fundit në botë për mendimin kreativ të nxënësve tanë, sepse shkolla nuk është më ajo që duhet të jetë, vatër e edukimit të fuqishëm, të mësimit të dijeve. Shkolla është zhytur në kaos, në inkopetencë. Mësuesit të cilët janë dhe do jenë misionarë të dijes, janë të çorientuar nga patronazhistët”, tha Berisha.
Sipas Berishës, përmes programit të PD-së nuk do të ketë rrogë minimale nën 1500 euro për mësuesin, njëherësh edhe mjekët dhe infermierët do të kenë dyfishim të rrogave.
Berisha u ndal edhe te biznesi dhe prodhimet ‘Made in Albania’, të cilat i cilësoi një krenari kombëtare.
“Ne do bëjmë gjithçka që në këtë vend të prodhohet, të prodhohet, të prodhohet. Në mënyrë që shqiptarët të punësohen dhe të paguhen. Ndaj dhe përgjysmojmë taksat për bizneset. Pjesëtojmë me 5 herë taksën mbi ndërtimet që kanë rritur çmimin e qirasë, baras me Parisin dhe Mynihun. Energjia do zbresë nga 18 në 6 lekë. Pra, frymëmarrje më e madhe, liri ekonomike më e madhe, iniciativë e lirë më e suksesshme. Dhe këtu ne qëndrojmë të vendosur për të ndryshuar me shpejtësi situatën e biznesit në Shqipëri”, cilësoi Berisha.
Kreu i PD-së premtoi edhe faktin që çdo çift i ri do të ketë një grant 30 mijë euro për të blerë një shtëpi dhe për të paguar interesat e kredisë.
/r.e//a.f/