E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: Firmat tek zarfet e dorëzuara nga DHL-ja, janë vetëm disa viza

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha vijoi akuzat për atë që ai e cilëson si një farsë elektorale.

Në një deklaratë për mediet nga selia blu, Berisha tha se “firmat tek zarfet e dorëzuara nga DHL-ja e qeverisë janë vetëm disa viza”.

“Jemi përsëri në fazën e procesit me të cilin DHL-ja e qeverisë u ka dorëzuar votuesve zarfet, sepse kthimin ata po përpiqen ta fshehin. Sepse kthimi është edhe më i rëndë, ose kaq i rëndë sa ky. Këtu keni një gjë që nuk do ta besoni.”

Duke ndarë pamje, Berisha theksoi se, “të gjitha këto përfaqësojnë zarfet e adresuara Vangjelit, Adriatikut, Beharit… Tani, ju lutem, shikoni firmat që ka vendosur Vangjeli, firma është një drejtëz. Firma, sikur gjoja e ka marrë Vangjeli këtë. Firma tjetër dy viza që kryqëzohen në fund. Firma tjetër, një vizë e shtrirë. Firma tjetër kjo, firma tjetër një zhgarravinë… Këto janë të tjera, vizë, kjo është firmë e DHL-së”, tha Berisha.

Berisha tha se “zarfet nuk u dorëzuan tek qytetarët, por në mënyrë kriminale u grumbulluan në një qendër, e cila i përdori ato për të plotësuar votat për PS-në. Ky është një proces që nuk do pranohet kurrë dhe shqiptarët, çfarëdo që të bëjë Edi Rama, i cili përpiqet me të gjithë mënyra të largojë vëmendjen nga demonstrimi i këtij krimi të shëmtuar, ai nuk do mund të shpëtojë”.

“Këto zgjedhje nuk njihen dhe kjo farsë elektorale, ky krim madhor elektoral ka një autor dhe ai është Edi Rama. Ka një mbrojtës kryesor të saj dhe ai është Altin Troplini, i cili me qëndrimet që ka mbajtur ndaj krimit kushtetues elektoral dëshmon se nuk ka ligj, nuk ka moral, por është thjesht një skllav dhe bashkëpunëtor i krimit”, përfundoi Berisha.

/a.f//r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›