Berisha: Gjenerata Z është ngritur fuqishëm kundër diktaturës autoritare

TIRANË, 1 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha mori pjesë sot në promovimin e një libri të autorit Ndriçim Kulla.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal tek gjenerata Z dhe protesta e qytetarëve kundër qeverisë. Berisha theksoi ata përbëjnë energjinë, guximin dhe shpirtin e pamposhtur të kësaj lëvizjeje.
“Kjo lëvizje në shumë aspekte është mrekullia më e madhe e Shqipërisë dhe shqiptarëve në kohëra. Pse e them këtë? Aty janë rryma të ndryshme, por ata që janë energjia, ata që janë guximi, ata që janë shpirti i pamposhtur, ata janë të rinjtë e asaj gjenerate që nuk ka njohur kurrë diktaturë autoritare. Dhe është kjo gjeneratë që ngrihet në mënyrën më të fuqishme ndaj një diktature autoritare”, tha Berisha.
Berisha tha se libri i Ndriçim Kullës do të shërbejë si një manual dhe burim frymëzimi për të rinjtë dhe brezat që do të vijnë.
“Kam bindjen se ky libër është gjithashtu një manual i shkëlqyer për ta dhe frymëzim për ta dhe brezat që vijnë. Ndaj kjo trilogji do të mbetet në historinë e letrave një kryevepër e vërtetë”, tha ai.
Berisha vlerësoi gjithashtu kontributin e autorit, duke thënë se “shkrimtari lufton me pendë” dhe se Ndriçim Kulla “e ka bërë pendën e tij një pendë të artë”, duke lënë një trashëgimi të rëndësishme për shqiptarët.
/m.q/j.p/r.e/