Krasniqi: Pirateria, kërcënim i drejtpërdrejtë për funksionimin e tregut audioviziv

TIRANË, 1 korrik /ATSH/ Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Armela Krasniqi deklaroi sot se, transformimi teknologjik ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si krijohet dhe shpërndahet përmbajtja audiovizive, duke sjellë mundësi të reja për publikun, por edhe sfida të mëdha në luftën kundër piraterisë.
Në fjalën e mbajtur në aktivitetin me temë “Lufta kundër piraterisë digjitale dhe audiovizive, progresi dhe sfidat në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian”, Krasniqi tha se platformat online, IPTV dhe aplikacionet e ndryshme kanë zgjeruar ndjeshëm aksesin në informacion dhe argëtim, por paralelisht kanë krijuar terren për forma të reja të shpërndarjes së paligjshme të përmbajtjeve audiovizive.
“Pirateria nuk kufizohet më vetëm te kopjimi i paligjshëm i një filmi apo programi televiziv, por është shndërruar në një aktivitet të organizuar që shfrytëzon teknologjinë moderne, serverë të vendosur në juridiksione të ndryshme, aplikacione, rrjete sociale dhe platforma komunikimi online për të shpërndarë përmbajtje të mbrojtura pa autorizim”, tha ajo.
Krasniqi, e cilësoi piraterinë audiovizive si një nga fenomenet më komplekse me të cilat përballen sot autoritetet rregullatore.
“Pirateria nuk është vetëm shkelje e të drejtave të autorit. Ajo përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për funksionimin e tregut audioviziv, dëmton operatorët që investojnë në mënyrë të ligjshme, cenon konkurrencën e ndershme, ul stimujt për investime të reja, kufizon zhvillimin e industrisë krijuese dhe dëmton vetë publikun, i cili ekspozohet ndaj produkteve me cilësi më të ulët, pa garanci sigurie dhe shpesh të shoqëruara me rreziqe kibernetike”, u shpreh Krasniqi.
Krasniqi nënvizoi se lufta kundër piraterisë nuk mund të konsiderohet vetëm si një çështje e mbrojtjes së pronësisë intelektuale apo si përgjegjësi ekskluzive e AMA-së.
“Sot, mbrojtja e të drejtave të transmetimit është një element thelbësor për garantimin e një tregu audioviziv të drejtë, konkurrues dhe të qëndrueshëm”, tha ajo.
Krasniqi bëri të ditur se për AMA-në mbrojtja e të drejtave të transmetimit është pjesë e punës së përditshme dhe nuk kufizohet vetëm në vendosjen e sanksioneve administrative.
Sipas saj, aktiviteti i institucionit përfshin monitorimin dhe inspektimin e tregut, identifikimin e formave të reja të piraterisë, si edhe bashkëpunimin me operatorët audiovizivë dhe institucionet vendase e ndërkombëtare.
Duke folur për rezultatet konkrete, Krasniqi tha se AMA ka intensifikuar monitorimin dhe hetimet në fushën e piraterisë digjitale.
“Falë këtij angazhimi, grupet e punës së AMA-së kanë identifikuar serverë që shpërndanin në mënyrë të paligjshme përmbajtje shqiptare, kanë ndjekur gjurmët digjitale të aplikacioneve IPTV dhe kanë bashkëpunuar me autoritetet përgjegjëse për bllokimin e tyre”, deklaroi Krasniqi.
Kryetarja e AMA-së informoi se gjatë këtij viti janë identifikuar katër serverë që operonin jashtë territorit shqiptar, konkretisht në Rumani, Mbretërinë e Bashkuar dhe Francë.
Po ashtu, Krasniqi bëri të ditur se gjatë vitit 2025 dhe muajve të parë të vitit 2026, AMA i ka përcjellë Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për bllokim 468 linqe përmes të cilave kryhej pirateri televizive.
Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian për luftën kundër piraterisë digjitale, foto: Andrin Ho... 1 nga 13/e.i/j.p/r.e/