IRAN – Bombardimet ndaj depove të naftës errësojnë qiellin e kryeqytetit

TEHERAN, 8 mars /ATSH-DPA/ – Qielli mbi disa pjesë të Teheranit u errësua sot pas bombardimit të depove të naftës nga Izraeli.
Shtëllunga të dendura tymi u ngritën mbi kryeqytetin iranian, duke mbuluar një pjesë të madhe të qiellit.
“Edhe pse sot mbi Teheran ka vranësira, errësimi aktual i qiellit nuk është natyror dhe shkaktohet nga kombinimi i tymit dhe reve”, tha Sadegh Zeyaeyan, drejtues i Qendrës së Menaxhimit të Krizave në Shërbimin Meteorologjik të Iranit.
Agjencia e lajmeve “Tasnim” paralajmëroi për rreziqe shëndetësore nga oksidet e squfurit dhe të azotit në atmosferë, të cilat mund të bëhen të rrezikshme nëse kombinohen me reshjet e shiut.
Sipas këtij paralajmërimi, në rast se bie shi, banorët këshillohen të mos dalin nga shtëpitë nëse është e mundur.
Izraeli tha se gjatë natës kishte goditur disa depo karburanti në Teheran, duke pretenduar se rezervuarët përdoreshin për infrastrukturën ushtarake të Iranit.Ndërkohë, sipas transmetuesit shtetëror iranian IRIB, Garda Revolucionare konfirmoi bombardimin e një rafinerie nafte në jug të kryeqytetit. /Ad.Ab./