Berisha: Kushtetuta pezullon edhe gjykatësit kushtetues

TIRANË, 18 shkurt /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot në mbledhjen e Grupit Parlamentar se veprimet e kryeministrit Edi Rama po krijojnë pengesa për integrimin e Shqipërisë dhe për ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë.
Lidhur me nismën e PS-së për ndryshime në Kodin e Procedurës Penal, Berisha tha se Kryeministri Rama po krijon mburojë personale si dhe “për të korruptuar me ligj gjykatësit kushtetuese, i ka përfshirë edhe ata më mburojën e turpit ligjore ndaj pezullimit nga detyra”.
“E bën këtë veprim pavarësisht nga paralajmërimet ultimative që ka marrë nga partnerët tanë se nuk do të tolerohet asnjë pengesë për drejtësinë. Tani, këta partnerët tanë, në mënyrë absolute nuk kanë asnjë interes tjetër përveç interesit të qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha.
Berisha theksoi se, Kushtetuta përcakton qartë pezullimin e gjykatësve kushtetues dhe se çdo ndryshim ligjor që synon të shmangë këtë parim cenon drejtësinë dhe parimet demokratike.
Ai theksoi se ligjet duhet të respektojnë frymën dhe nenet kushtetuese dhe se funksionarët e zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët, si deputetët dhe kryetarët e bashkive, kanë mbrojtje të veçantë nga pezullimi, ndryshe nga gjykatësit kushtetues që nuk zgjidhen direkt nga populli.
“Pra, Kushtetuta për gjykatësin kushtetues ka përcaktuar pezullimin, çka do të thotë se gjithçka tjetër për të ngjashëm, përfshi presidentin e Republikës, që nuk është i zgjedhur nga populli, është i pezullueshëm për Kushtetutën. Kushtetuta në frymën e saj, dhe ligji në zbërthim të Kushtetutës, nuk pranon pezullimin e të zgjedhurve direkt nga sovrani”, tha Berisha.
Kreu i PD nënvizoi se, çdo përpjekje për të ndryshuar rregullat për pezullimin e gjykatësve kushtetues përbën një sfidë të hapur të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.
“Kushtetuta, libri themelor i shtetit, i ka dhënë legjitimitet masës së pezullimit pavarësisht nga dega e pushtetit, përveçse kur ai buron direkt nga populli”, tha Berisha.
Berisha theksoi gjithashtu se partnerët e Shqipërisë, gjatë 35 viteve të fundit, kanë dhënë mbështetje të konsiderueshme për zhvillimin e vendit përmes projekteve infrastrukturore dhe sociale, duke përfshirë rrugë, ujësjellës, ferma dhe projekte të tjera që kanë kontribuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Ai nënvizoi se këto ndihma duhet të shfrytëzohen në përputhje me ligjin dhe drejtësinë, dhe jo për qëllime që cenojnë interesin publik.
/gj.m/