Berisha: Licencat për mbjelljen e kanabisit u përdorën në farsën elektorale të 11 majit

TIRANË, 2 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha nga selia blu foli sërish për atë që e cilëson si “farsën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit”.
Në një konferencë për mediet, Berisha tha se licencat për mbjelljen e kanabisit u përdorën në farsën elektorale të 11 majit.
“Ligji i miratuar nga qeveria lejon, autorizon mbjelljen e 200 hektarëve në mbarë vendin. Por në vitin elektoral, kjo sipërfaqe u shumëfishua dhjetëra herë, qindra herë”, tha Berisha.
Sipas Berishës u dha leje për “29.300 hektarë kanabis me vlerë 10 miliardë euro në vitin elektoral në shkelje të ligjit dhe të gjitha konventave ndërkombëtare”.
Berisha shtoi se “në vitin elektoral janë përcaktuar të mbillen të paktën 1 miliard e 200 mijë rrënjë kanabis”.
“Ky vendim dhe kjo praktikë, sikur të mos kishte asnjë faktor tjetër kanabizon tërësisht farsën elektorale”, u shpreh Berisha.
Berisha nënvizoi se këto zgjedhje kurrë nuk mund të njihen.
Berisha tha se licencat e kanabisit i kanë marrë njerëz të lidhur me qeverinë dhe se nuk ka pasur tendera për to.
“Nuk jemi marrë konkretisht me emrat, por licencë kush përveç njerëzve të lidhur me drogën nuk merr. Aty nuk ka pasur tender për marrjen e tyre”, u shpreh Berisha. /j.p/