E Martë, 3 Nëntor 2026

Konventa e OKB-së, Jaupaj: Promovim peshkimit të qëndrueshëm dhe turizmit ekologjik

TIRANË, 2 qershor/ATSH/ Zëvendësministri i Mjedisit dhe Turizmit, Sofjan Jaupaj prezantoi sot në Komisionin për Politikën e Jashtme, projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtën e detit mbi ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të diversitetit biologjik detar të zonave përtej juridiksionit kombëtar”.

Sipas zv/ministrit të Mjedisit dhe Turizmit, ky projektligj vjen nisur nga nevoja për ta trajtuar në mënyrë koherente degradimin e biodiversitetit biologjik për shkak të ndryshimeve klimatike në ekosistemet detare nga ngrohja apo deoksigjenimin e oqeaneve.

Jaupaj u shpreh se nisur nga këto arsye, si edhe nga acidifikimi i oqeaneve është e nevojshme që Shqipëria t’i bashkohet Konventës së Kombeve të Bashkuara për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit detar.

“Objektivi i kësaj marrëveshjeje është që të ruajë në mënyrë të qëndrueshme biodiversitetin detar të zonave përtej juridiksionit kombëtar, nëpërmjet dispozitave të Konventës. Duke u bërë pjesë e marrëveshjes së Kombeve të Bashkuara për të drejtën e detit, ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të diversitetit detar, Shqipëria do të kontribuojë në mbrojtjen e biodiversitetit detar duke promovuar peshkimin e qëndrueshëm dhe turizmin ekologjik, të përmirësojë marrëdhëniet ndërkombëtare dhe të përfitojë nga mbështetja teknike dhe financiare ndërkombëtare”, pohoi Jaupaj.

“Bërja palë me këtë marrëveshje do të ofrojë bashkëpunim të zgjedhur për të përmbushur zbrazëtitë në Konventën për marrëveshjen e detit, krijimin e zonave të mbrojtura detare, etj”, tha ai.

Zv.ministri i Mjedisit dhe Turizmit pohoi gjithashtu se gjatë negociatave për anëtarësimin evropian të Shqipërisë do të jetë e nevojshme bërja palë e kësaj konvente.

Ndërsa, deputeti Blendi Klosi në cilësinë e relatorit u shpreh se ky projektligj është firmosur nga ambasadori i jashtëzakonshëm pranë Kombeve të Bashkuara në New York.

“Projektligji kërkon ratifikimin në Parlament të një marrëveshjeje që e bën Shqipërinë pjesë, sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e detit dhe përdorimin e qëndrueshëm të diversitetit biologjik detar të zonave përtej juridiksionit kombëtar. Kjo kërkon që Shqipëria të jetë pjesë e ruajtjes së sipërfaqeve ujore që nuk janë pjesë e juridiksionit të tyre kombëtar. Shqipëria si një vend relativisht i vogël në këtë botë të madhe përpiqet të bëjë detyrat e saj. Projektligji ka shumë pak të bëjë me probleme financiare apo ligjore, por mendoj që anëtarët e tij komisioni t’i japin mbështetje dhe të miratojë këtë projektmarrëveshje”, tha Klosi.

Projektligji u hodh në votim dhe u miratua me shumicë votash, pa asnjë votë kundër apo abstenim. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›