Berisha: Marrim pjesë në komisionin për Zgjedhoren vetëm me pjesëmarrjen e ODIHR

TIRANË, 13 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se opozita nuk do të marrë pjesë në komisionin e reformës zgjedhore dhe komisionin e posaçëm të reformës administrativo-territoriale pa praninë e OSBE-ODIHR dhe Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës.
Gjatë një konference për mediet, Berisha u shpreh se për komisionin e reformës zgjedhore duhet një ftesë nga të gjitha palët, pozita dhe opozita, si dhe prania e ODIHR.
“E kemi theksuar këtu, nuk mund të ketë reformë zgjedhore pa praninë e ODIHR. Do ftohet dhe do t’i dërgohet ftesë ODIHR, pasi të pranojnë ftesën, duhet një ftesë nga të gjitha palët, pozita dhe opozita dhe natyrisht me praninë e ODIHR, ne jemi të gatshëm të shqyrtojmë një e nga një të gjitha rekomandimet e misioneve të vëzhgimit, të cilat nga 2013 e gjer sot nuk janë marrë parasysh”, tha Berisha.
Për reformën territoriale, Berisha tha se në parlament ekziston një projekt i PD-së dhe opozitës për reformën territoriale i cili ndryshon si nata me ditën me projektin që ka ndërmend qeveria.
Sipas Berishës, qeveria “ka ndërmend faktikisht të pjesëtojë me disa herë fuqinë e votës së qytetarëve shqiptarë. Të largojë pushtetin prej tyre dhe t’i katandisë nga 62, në mos gaboj, në 28 apo 30 bashki dhe komuna”.
“Natyrisht reforma e parë e tij ishte një katastrofë, një kaos. Mjafton të kujtoj këtu se, një qark me 120 mijë banorë, ka 7 njësi të qeverisjes vendore, një qark me 1 milion banorë ka 4 njësi të qeverisjes vendore. Kjo është e vërtetë për Tiranën dhe Gjirokastrën”, tha Berisha.
Berisha shtoi më tej se “kështu që për këtë të dytën nuk mund të shprehem, se edhe këtu kemi një kusht të panegociueshëm: praninë e përfaqësuesve të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës”.
/m.q//a.f//r.e/