E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rusi: Rezultate konkrete në gjyqësor, sfida kryesore mbetet stoku i çështjeve

TIRANË, 13 tetor /ATSH/ Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi tha sot gjatë punimeve të Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike dhe Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, se gjatë vitit 2024 janë zhvilluar 65 mbledhje plenare në KLGJ-së për miratimin e 76 vendimeve.

Në nisje të fjalës së tij, Rusi u ndal te vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja disa ditë më parë, duke e konsideruar si një humbje tragjike e jetës së një njeriu, familjari gjatë ushtrimit të detyrës.

“Një thirrje Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Kuvendit, Këshillit të Ministrave, organeve të drejtësisë, qytetarëve që në këtë moment të tillë, të bashkohen për ta konsideruar Shqipërinë tonë si një familje të madhe”, tha Rusi.

Gjatë prezantimit të veprimtarisë së KLGJ-së për vitin e kaluar, Rusi nënvizoi se objektiv ka qenë rritja e efikasitetit të gjykatave duke marrë në konsideratë vakancat në sistem.

“Në kuadër të strategjisë 2024-2027 janë miratuar një sërë aktesh nënligjore, si edhe janë marrë masa konkrete për përmirësimin e efikasitetit në trajtimin e çështjeve gjyqësore. Gjatë vitit 2024 janë miratuar 34 raporte vlerësimi, ndërsa gjatë periudhës 2020-2024 janë miratuar në total 190 raporte vlerësimi për 119 gjyqtarë duke vlerësuar 63% të gjyqtarëve”, tha ai.

“Rekrutimi i gjyqtarëve të rinj përmes emërimit të 32 magjistratëve të rinj, të cilët kanë përfunduar programin akademik pranë shkollës së Magjistraturës për vitin 2023-2024 ka qenë një tjetër angazhim. Më qëllim plotësimin e trupave gjyqësore në gjykata, këshilli ka caktuar 66 gjyqtarë për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta, në gjykata të ndryshme nga ato ku ushtrojnë detyrën. Për efekt të transparencës për informimin e publikut janë trajtuar 49 ankesa për të drejtën e informimit”, vijoi Rusi.

Sipas kreut të KLGJ-së, janë trajtuar shtatë procedime disiplinore për gjyqtarët gjatë vitit 2024 dhe pesë çështje të mbartura nga vitet e mëparshme.

“KLGJ ka vendosur dy shkarkime nga detyra, një procedim, një rast ende në shqyrtim, një rast në pritje shqyrtimi nga KPK-ja, dhe një pezullim nga detyra. Në kuadër të Reformës në Drejtësi janë evidentuar rezultate konkrete dhe përmirësim në trajtimin e çështjeve gjyqësore në të gjithë vendin, për të përballuar fluksin e lartë të kërkesave për drejtësisë. Gjatë këtij viti, harta e re gjyqësore ka dhënë frytet e saj duke bërë optimizimin e gjykatave dhe rritjen e besimit të publikut”, theksoi Rusi.

Rusi tha se në gjykatat e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit është vënë re një angazhim i shtuar për përballimin e çështjeve gjyqësore duke sjellë standard në trajtimin e çështjeve, ndërsa performanca e gjyqësorit për vitin 2024 konsiderohet si bazë solide për të ardhmen.

“Niveli i lartë i stokut të çështjeve mbetet një nga sfidat më të mëdha ndër vite, por viti 2024 shënoi përparim domethënës në këtë drejtim”, pohoi Rusi.

/e.i/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›