E Hënë, 2 Nëntor 2026

Momentet kryesore nga vizita e Von der Leyen në Tiranë

TIRANË, 13 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama priti sot në takim Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila vizitoi Shqipërinë në kuadër të Forumit të parë të Investimeve “Bashkimi Europian-Ballkani Perëndimor” që po zhvillon punimet në datat 13-14 tetor.

“Sot me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale duke sjellë momentet kryesore të vizitës së zyrtares së lartë të Bashkimit Evropian.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, kryeministri Rama vlerësoi mbështetjen e Komisionit Europian në procesin e integrimit europian.

Rama vlerësoi faktin e nisjes nga Shqipëria të turit në rajonin tonë të presidentes së KE, Von der Leyen, por edhe mbledhjen në Tiranë të Konferencës së Investimeve mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, që organizohet për herë të parë dhe që mikpret një numër të konsiderueshëm sipërmarrjesh nga i gjithë rajoni.

Kryeministri theksoi se, ky forum synon të kthehet në një traditë në vitet në vijim.

Rama vlerësoi faktin se presidentja Von der Leyen dhe Komisioni aktual i japin një vëmendje të posaçme procesit të përafrimit të vendeve tona me Bashkimin Europian.

Ndërsa Ursula von der Leyen tha se, Shqipëria ka bërë një progres të mrekullueshëm në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Von der Leyen vlerësoi punën e bërë nga qeveria shqiptare dhe theksoi se mbështet ambicien e kryeministrit Edi Rama për mbylljen e grup-kapitujve deri në fund të vitit 2027.

Von der Leyen theksoi se, Shqipëria është plotësisht në përputhje me politikën e jashtme të sigurisë me Bashkimin Evropian.

Më tej, Presidentja e KE-së theksoi se, ekonomia shqiptare ka fituar akses në tregun e përbashkët dhe në investimet e reja të BE-së.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›