Berisha: Me PD-në në pushtet asnjë taksë nuk do të jetë mbi 12,5% - ATSH -
TIRANË, 1 nëntor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se paketa fiskale për vitin 2027 i jep një goditje të rëndë qytetarëve me të ardhura të ulëta, bizneseve të vogla dhe shtresës së mesme.
Gjatë një komunikimi online me qytetarë, Berisha tha se qeveria po rrit taksat pa paralajmërim dhe pa konsultim publik.
Sipas Berishës, ndryshimet në skemën e TVSH-së do të sjellin rritje të çmimeve për një pjesë të konsiderueshme të produkteve, duke rënduar më tej ekonominë e familjeve në nevojë.
“Paketa është një goditje e rëndë për këto tri kategori: për më të varfrit, për bizneset e vogla, për shtresën e mesme. Është një goditje e rëndë për më të varfrit, sepse paketa që në aparencë do të ulë çmimet e ushqimeve bazë, në të vërtetë duke futur në fashën e TVSH të gjithë dyqanet, i detyron ato të rrisin me 6 për qind çmimet, i detyron shqiptarët të paguajnë 6 për qind më shumë se ç’paguajnë tani. Dhe ky është një akt shumë i papërgjegjshëm”, tha ai.
Berisha tha se përfshirja e më shumë dyqaneve në skemën e TVSH-së do t’i detyrojë ato të rrisin çmimet, pavarësisht uljes së TVSH-së për 52 produkte.
Sipas Berishës, rreth 18 mijë biznese rrezikojnë falimentimin si pasojë e ndryshimeve në fashën e TVSH-së.
Kreu i PD-së tha se aplikimi i TVSH-së prej 21% për këto shërbime do të sjellë rritje të kostove për qytetarët dhe do të vështirësojë aktivitetin e profesionistëve.
“Dyfishimi i taksës së dividentit do ketë pasoja shumë të rënda për investimet e huaja, asnjë investitor nuk do të preferojë Shqopërinë para një vendi që nuk ka taksë dividenti ose që e ka taksën e dividentit sa e kishim ne, 8 për qind. Rritja e saj në 15 për qind de facto është një thirrje për investitorët e huaj, mos hajdeni në Shqipëri”, tha më tej Berisha.
Berisha prezantoi gjithashtu disa nga angazhimet fiskale që do të zbatohen në rast se PD vjen në pushtet. Berisha deklaroi se asnjë taksë nuk do të jetë më e lartë se 12,5%, duke përfshirë edhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).
“Unë garantoj çdo qytetar shqiptar, së pari në republikën e Shqipërisë për PD në pushtet nuk do ketë asnjë taksë mbi 12,5 për qind, përfshi TVSH-në. Nën këtë nivel do ketë një seri taksash, mbi të, asnjë. As sigurimet shoqërore për punëdhënësin, as sigurimet shoqërore për punëmarrësin. Asnjë lloj takse. Së dyti, profesionet e lira, totalisht të përjashtuara apo zbritja e taksës së tyre në 12,5 për qind”, tha Berisha.
Një tjetër premtim i Berishës lidhej me çmimin e karburanteve. Ai tha se nafta në Shqipëri nuk do të shitet më shtrenjtë se në vendet përreth, duke marrë si referencë Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
/m.q/r.e/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
