Protestuesit përzunë militantët e PD-së, Berisha: Ishin 4-5 mashtrues të paguar për të mbrojtur Ramën, ekstremistët e majtë nuk na largojnë dot nga protesta

Pas përzënies së militantëve të Partisë Demokratike nga protesta e të rinjve para Ministrisë së Arsimit, Sali Berisha ka sulmuar protestuesit që kundërshtuan bashkimin me demokratët.
Kreu i PD-së i cilësoi ata si 4-5 mashtrues dhe provokatorë të paguar, që sipas tij kishin dalë në protestë për të mbrojtur Edi Ramën.
Berisha tha se disa ekstremistë të majtë po përpiqen të largojnë PD-në nga protesta.


“Incidentet e njërës anë nuk janë përfaqësues të protestës, janë përfaqësues të zjarrfikësve të protestës. I kam këtu emër për emër, por nuk ia vlen t'ju tregoj se çfarë përfaqësojnë ata. Dhe janë gjithsej 4-5 mashtrues ordinerë. Njëri thoshte: ‘Bravo, kryeministër!’, tjetra thoshte: ‘Rama është më i mirë se Berisha’, çka tregonte se kishte dalë për të mbrojtur Ramën në protestë.
Ndërsa ekstremistët e majtë, që parakalonin si falanga në rrugët e Tiranës me grushtin përpjetë, duke besuar se mund t'u rikthejnë shqiptarëve kohërat më të zeza, ata marrin dhe do të marrin përgjigjen e merituar. PD fton dhe do të ftojë në bashkëpunim çdo forcë politike, shoqatë, e cila është për largimin e Ramës.
Por PD-në, nënën e protestave në Shqipëri, partinë që mbiemër të dytë do të kishte “protestë”, nuk ka horr, nuk ka bandit, nuk ka kriminel që mund ta pengojë atë në protestën kundër narkodiktatorit Edi Rama.
PD nuk ka deklaruar kurrë se ajo e udhëheq protestën e studentëve dhe as se është organizatore. PD është në këtë protestë që minutën e parë, me strukturat e saj në universitete dhe gjimnaze, dhe ajo del në respekt të plotë të pluralitetit të studentëve. Dy-tre provokatorë të ulët, që i kemi me emër e mbiemër, të paguar, të turpshëm, apo një grup i vogël ekstremistësh të majtë, nuk mund t'i diktojnë PD-së asnjë lloj ndryshimi të qëndrimit të saj ndaj protestave”, tha Berisha.
Lajmi në përditësim....
Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:00
Lokalet e 9 majit/ Ndjekësi kritikon Berishën: Pse i zvarrisni kandidaturat? Kreu i PD e pranon: Jemi vonuar

Pasi presidenti Bajram Begaj dekretoi 9 majin si datë për zhvillimin e zgjedhjeve loakle 2027. Një ndjekës ka kritikuar Sali Berishën se përse ende nuk janë përzgjedhur kandidaturat.
Vaske Mehmeti: Doktor, me Ramën apo pa Ramën, zgjedhjet lokale janë pas gjashtë muajsh. Kur do t'i bëni prezent emrat e kandidatëve për bashkitë? S’e kuptoj këtë zvarritje. Në rast se PS-ja ka komplekse me hajdutët, PD-ja çfarë kompleksi ka të gjejë 46 njerëz të përsosur për kandidim?
Sali Berisha: Ke shumë të drejtë. Jemi të vonuar. Do bëjmë gjithçka që të japim përgjigje sa më shpejt kësaj çështjeje shumë të rëndësishme. Jam dakord me ju.
Ndërkohë, vetë PD i refuzoi konsultimet me Presidentin për datën e zgjedhjeve me argumentin se Bajram Begaj po bënte teatër në një kohë kur vendi është përfshirë nga vala e protestave të dhunshme.