Berisha: PD do të vijojë mbështetjen për revoltën studentore, ekstremistët e majtë nuk na diktojnë qëndrimin - ATSH -
TIRANË, 1 nëntor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se opozita do të vijojë të mbështesë protestën studentore, teksa shtoi se kjo mbështetje do të jetë e pakushtëzuar dhe pa asnjë hezitim.
Gjatë një komunikimi me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha shprehu mirënjohjen për demokratët, mbështetësit e PD-së dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në mbështetjen e revoltës studentore.
“PD ka vazhduar mbështetjen e saj të fuqishme për revoltën studentore dhe iu është mirënjohëse pafundësisht të gjithë atyre pjesëmarrësve në revoltë, demokratëve dhe mbështetësve tanë që kanë mbështetur këtë revoltë, të gjithë atyre që ngritën zërin në mediet ndërkombëtare, institucionet ndërkombëtare në mbështetje të studentëve shqiptarë. Garantoj se kjo mbështetje do të vazhdojë me çdo çmim dhe pa asnjë lloj hezitimi”, tha ai.
Duke iu përgjigjur një komentuesi, i cili e pyeti pse Partia Demokratike nuk organizon protesta me simbolet e saj dhe pse duhet të përfshihet në përplasje me grupe të tjera, Berisha tha se opozita ka zgjedhur të mos përçajë protestat qytetare duke vendosur në plan të parë interesin kombëtar.
Berisha tha se prania e simboleve të PD-së në protestat e qershorit mund të kishte krijuar përçarje dhe të kishte dëmtuar bashkimin e qytetarëve rreth kërkesave të përbashkëta.
“Partia Demokratike është forcë politike, e cila detyrimisht bën vlerësimin e situatës dhe analizën politike. Duhet të pranojmë realitetin se në fundin e majit dhe qershorin e këtij viti, në Shqipëri shpërtheu protesta më madhështore qytetare në historinë e saj, protestë, e cila ngriti peshë zemrat e mbarë shqiptarëve, e vërteta është edhe të majtë, edhe të djathtë, edhe të paparti.
Në këtë protestë dolën me kërkesa, të cilat kishin qenë secila pa asnjë përjashtim, kërkesat e Partisë Demokratike. Një protestë me simbolet e Partisë Demokratike do të përçante këtë protestë të madhe. Dhe ne kurrë nuk e merrnim përsipër atë”, tha ai.
Kreu i PD-së u ndal edhe te protesta studentore, ku theksoi se ajo u thirr nga sindikata e universitetit për kërkesa drejtuar Ministrisë së Arsimit. Sipas tij, strukturat rinore të PD-së në universitete dhe gjimnaze iu përgjigjën ndër të parat thirrjes.
Ai tha gjithashtu se grupet që kanë kundërshtuar përfshirjen e PD-së në protestat e fundit janë provokatorë dhe ekstremistë të majtë.
Berisha deklaroi se PD është e gatshme të bashkëpunojë me çdo forcë politike dhe organizim shoqëror që kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti.
“Partia Demokratike nuk ka deklaruar kurrë se protestën e studentëve e udhëheq ajo, se në mënyrë absolute nuk e udhëheq. Ajo është në këtë protestë që minutën e parë, që në orën e parë me strukturat e saj në universitete dhe gjimnaze dhe ajo del në respekt të plotë të pluralitetit të studentëve, të cilët nuk janë strukturat tona, janë strukturat e partive të tjera, apo s’janë fare në struktura partish. Del në mbështetje të plotë të tyre, pikërisht duke respektuar pluralitetin e kësaj proteste. Besoj se ua sqarova, po t’u them një gjë, dy-tre provokatorë të ulët, që i kemi me emër dhe mbiemër, të paguar, apo një grup i vogël ekstremistësh të majtë, nuk mundet kurrë t’i diktojnë Partisë Demokratike asnjë lloj qëndrimi dhe ndryshimi ndaj revoltës studentore dhe ndaj protestave në tërësi”, tha Berisha.
/m.q/r.e/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
