E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: Ne dalim nga ky shesh vetëm kur të shpëtojmë shqiptarët nga kjo bandë

TIRANË, 1 dhjetor/ATSH/ Partia Demokratike zhvilloi sot protestën e radhës, e konceptuar si foltore me në fokus denoncimet e deputetëve të selisë blu dhe aleatëve, por edhe qytetarëve në drejtim të qeverisë.

Fjalën e hapjes e mbajti deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, teksa vijuan me radhë deputetë e qytetarë të ndryshëm, që ngritën shqetësimet dhe pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë. Në fund, ishte kreu i PD, Sali Berisha i cili mbylli foltoren e tretë të PD-së, duke  mbajtur fjalën e rastit.

Sipas Berishës, qeveria ka ulur buxhetin për shëndetësinë. “E vërteta është se krahasuar me vitin 2013, buxheti i shëndetësisë është ulur të paktën me 500 milionë euro.
A ka sot hall më të madh për shqiptarin se sa të sëmurët? Erdhi koha të themi Zoti e shpëtoftë nga spitalet, sepse shkon në spital, duhet të blejë çdo ilaç, duhet të paguajë çdo shërbim”, tha Berisha.

Sipas kreut të PD, qeveria ka shkatërruar një sistem të tërë
“Po arsimi? Po shkollimi? Një shkatërrim me dokumente, me vlerësime zyrtare, si në asnjë vend tjetër. Të dashur miq, Edi Rama ka dy armë për të shkatërruar këtë komb, ai nuk përdor kampet e përqendrimit, nuk përdor burgjet e mëdha politike, ndonëse burgos politikisht. përdor vjedhjen.

Vjedh me bandën e tij 90 përqind të të gjitha fondeve për punët publike. A mund të imagjinoni shqiptarë që rruga të ndërtohet me çmim 10 herë më të lartë se në Europë” tha Berisha.

Ai thekson se PD nuk e lëshon sheshin. “Jo, ne nuk e lëshojmë këtë shesh.
Ky është sheshi ynë. Ne dalim nga ky shesh vetëm kur të shpëtojmë shqiptarët. Vetëm kur të shpëtojmë Shqipërinë nga kjo bandë”, tha Berisha.

Ai tha se ligjin në Shqipëri e bën droga, teksa familjet shqiptare varfërohen

“Arma e dytë e tmerrshme e kësaj bande është droga. Çfarë ndodh me drogën? Euro përtokë sepse vijnë eurot e drogës me kontejnerë. Me qindra ndërmarrje të eksportit falimentojnë dhe me mijëra punëtorë dalin pa punë dhe marrin rrugët e dheut. Kjo është mënyra. Ikin se shkatërrohen vendet e punës.

Ata pensionistë që jetojnë me ndihmën e familjarëve të tyre, marrin 35 përqind më pak, bëhen 35 përqind më të varfër. Çmime stratosferike në ndërtime se baronët e drogës nuk i kanë gjë paratë”, u shpreh Berisha.

Ky e ka shndërruar parlamentin në institucionin më qesharak, më të turpshëm të vendit
Po parlamenti është përfaqësuesi juaj, është vota juaj, është vullneti juaj.
A do e lejojmë ne ta përdorë parlamentin në mënyrën siç po e përdor ky?
Jo, kurrë. Ndaj dhe koha është e jona. Këtyre u ka ikur koha”, nënvizoi Berisha.

Kjo është foltorja e tretë e opozitës përpara Kryeministrisë.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›