Flamuri shqiptar i valvitur në 30 qytete shpaloset në qendër të Fierit për ndeshjen kundër Polonisë

TIRANË, 26 mars/ATSH/ Në Fier, një flamur që ka udhëtuar në rreth 30 qytete shqiptare, u shfaq sot në qendër të qytetit, duke sjellë një atmosferë të veçantë emocionale. Kryetari i degës lokale të Shoqatës Atdhetare për Identitet dhe Bashkim Kombëtar, Kristaq Ziu, u shpreh në një prononcim për mediet se, ky simbol ka marrë një kuptim të ri në këtë moment.
Për shkak të pamundësisë për ta vendosur në stadium, flamuri u ekspozua në një nga hapësirat kryesore të qytetit, duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe duke ndezur atmosferën festive para ndeshjes së sotme.
Sipas Ziut, mbrëmja e sotme ka një rëndësi të veçantë pasi në fushë zbresin Kombëtarja e Shqipërisë dhe Kombëtarja e Kosovës, të cilat garojnë në ndeshje kualifikuese për Botërorin 2026. Ai theksoi se përtej rivalitetit sportiv, këto ndeshje përfaqësojnë një ndjenjë të përbashkët kombëtare.
“Janë dy skuadra, por një komb. Kjo është arsyeja pse emocionet janë kaq të forta dhe atmosfera kaq e zjarrtë”, u shpreh ai, duke bërë thirrje për mbështetje sa më të madhe ndaj përfaqësueseve dhe duke shprehur besimin për rezultate pozitive.
1 nga 2/e.i/r.e/a.f/