Berisha: Opozita do të fillojë protestat, bulevardi rruga e fitores

TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në konferencën e sotme me gazetarët, deklaroi se opozita do të nisë protesta të qëndrueshme, duke i konsideruar ato rrugën e vetme për përmbysjen e asaj që ai e quajti “regjim i narkoshtetit”.
Berisha u bëri thirrje qytetarëve të dalin çdo ditë në shesh, duke theksuar se fitorja nuk varet nga numrat, por nga guximi dhe vendosmëria.
“Opozita do të fillojë protesta, pa asnjë diskutim. Opozita po bën gjithçka për të qartësuar tek çdo qytetar se rruga e vetme është protesta e qëndrueshme. Se është koha, sot më shumë se kurrë, të vendosi për të marrë përsipër misionin tonë të ri, të përmbysjes së regjimit të narkoshtetit”, deklaroi Berisha.
Ky mision, sipas tij, do të përmbushet sapo mijëra shqiptarë të vendosin të dalin në shesh çdo ditë.
“Të protestojnë kundër regjimit. Të ndahen nga apatia, lodhja, mërzitja, zhgënjimi që i ka pushtuar. Bulevardi është sheshi, është rruga e fitores”, tha Berisha.
Ndërkaq, Berisha kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama dhe zv.kryeministres Belinda Balluku. Sipas Berishës, Kryeministri mban përgjegjësinë kryesore për situatën aktuale, pasi jo vetëm që mbron Ballukun nga drejtësia, por edhe ndërhyn në institucionet e pavarura, përfshirë Gjykatën Kushtetuese.
Berisha tha se opozita e ka mbledhur ligjërisht Këshillin e Mandateve dhe se Balluku “de facto” nuk ka më imunitet.
“Opozita mblodhi komisionin, mbledhja e komisionit është plotësisht e ligjshme dhe për opozitën Balluku nuk ka më imunitet. E mban vetëm Edi Rama që nuk lejon arrestimin e saj. Opozita do t’i përgjigjet përsëri me rrugë ligjore dhe me protesta të fuqishme”, tha ai.
Berisha nënvizoi gjithashtu se të dhënat e sigurisë kombëtare kanë kaluar në duart e bandave dhe armiqve të Shqipërisë dhe NATO-s.
/m.q/j.p/r.e/