E Diel, 1 Nëntor 2026

Firmoset kontrata për impiantin MIDA Steel në Elbasan

TIRANË, 29 dhjetor/ATSH/ “Kurum International Albania” dhe “Danieli Officine Meccaniche” S.p.A. kanë nënshkruar zyrtarisht kontratën e investimit për ndërtimin e një impianti të ri për prodhimin e çelikut në Zonën Industriale të Metalurgjikut në Elbasan.

Ky projekt shënon një moment të rëndësishëm për industrinë shqiptare, pasi me realizimin e tij Shqipëria bëhet vendi pritës i impiantit të parë MIDA Steel në Europë, duke u pozicionuar drejtpërdrejt në tregun europian të çelikut të gjelbër dhe duke ndjekur standardet më të avancuara të teknologjisë dhe mbrojtjes së mjedisit.

Në ceremoninë e nënshkrimit të kontratës ishte i pranishëm edhe kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i cili u shpreh se ky investim përbën një hap të rëndësishëm drejt modernizimit industrial dhe zhvillimit ekonomik të qytetit.

Sipas tij, hapja e impiantit të ri do të rrisë ndjeshëm numrin e vendeve të punës, duke krijuar mundësi konkrete punësimi për qytetarët e Elbasanit dhe zonave përreth, si dhe do të ndikojë pozitivisht në rritjen e ekonomisë lokale.

Ky investim strategjik pritet të sjellë një ndikim të drejtpërdrejtë në forcimin e rolit të Elbasanit si qendër industriale, duke nxitur zhvillimin e sektorëve të lidhur me industrinë e çelikut, rritjen e të ardhurave për familjet dhe përmirësimin e klimës së biznesit në qytet.

Ndërtimi i impiantit MIDA Steel konsiderohet gjithashtu një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm, pasi fokusohet në prodhimin e çelikut me teknologji moderne dhe miqësore me mjedisin, në përputhje me kërkesat e tregut europian.

/k.s/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›