E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha: PD krah studentëve deri në fitore, të shtunën protestë kombëtare - ATSH -

TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se ditën e shtunë PD do të zhvillojë protestë në mbështetje të revoltës studentore.

Gjatë një takimi me kryetarët dhe sekretarët e degëve në selinë blu, Berisha tha se PD-ja do të qëndrojë në krah të studentëve deri në realizimin e kërkesave të tyre.

“Dita e shtunë është një protestë jashtëzakonisht e rëndësishme. E thërrasim këtë protestë në mbështetje të studentëve, në mbështetje të plotë të tyre. E thërrasim këtë protestë për t’u provuar atyre se Partia Demokratike është dhe do qëndrojë në krah të tyre, gjithnjë deri në fitore. Partia Demokratike sot fton të gjitha forcat politike të bashkohemi në mbështetje të revoltës studentore”, tha ai.

Berisha përsëriti kërkesën për largimin e Kryeministrit, krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira, ku qytetarët të kenë mundësi të votojnë dhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre.

“Koha është provë e madhe për çdo politikan dhe për çdo shqiptar sot: të largojmë Edi Ramën, të krijojmë një qeveri teknike që përgatit zgjedhjet, të votojnë shqiptarët dhe të zgjedhin atë që duan.Të bëjmë të mundur që shqiptarët të votojnë”, deklaroi kreu i PD-së.

“Në qoftë se ka një mësim, një mësim që ne duhet ta marrim nga opozita dhe nga lëvizja studentore, është bashkimi. Të bashkohemi. Të bashkuar. Dhe ne duhet të bashkohemi, unë u them të gjithëve. Bashkohemi, të arrijmë këtë qëllim. Të bëjmë atë kod dhe atë reformë zgjedhore që pranohet nga të gjithë”, tha Berisha.

Në përfundim, kreu i PD-së u bëri thirrje strukturave të partisë në të gjithë vendin që të vijojnë mobilizimin dhe organizimin e protestave në rrethe, duke deklaruar se opozita duhet të qëndrojë në këmbë pavarësisht lodhjes së demokratëve.

/m.q/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›