E Enjte, 5 Nëntor 2026

U shoqëruan nga policia pasi refuzuan gjobat, lirohen aktivistët Dritan Goxhaj dhe Edison Lika

Dy aktivistët Dritan Goxhaj dhe Edison Lika janë liruar mbrëmjen e kësaj të mërkure, pasi u shoqëruan me forcë nga policia gjatë protestës së studentëve dhe qytetarëve përpara Kryeministrisë.

Shoqërimi i tyre ndodhi pas një përplasjeje me efektivët e policisë, të cilët u vendosën gjoba për zhvillimin e një tubimi të paligjshëm. Dy aktivistët refuzuan të pranonin fletët e gjobave, duke kundërshtuar veprimet e uniformave blu.

Ngjarja shkaktoi tensione përpara Kryeministrisë, ku protestuesit kundërshtuan shoqërimin e dy aktivistëve. Disa vajza krijuan një gardh njerëzor përpara furgonit të policisë, duke tentuar të pengonin largimin e tij.

Gjatë përplasjeve pati edhe ndërhyrje të forcave të rendit me spraj me piper, ndërsa disa protestuese u ndien keq dhe patën nevojë për ndihmë mjekësore.

Pas shoqërimit të Goxhajt dhe Likës, studentët dhe qytetarët e zhvendosën protestën përpara Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës, ku kërkuan lirimin e menjëhershëm të tyre.

Protestuesit pretenduan se tubimi ishte i ligjshëm dhe se policia ishte njoftuar paraprakisht për zhvillimin e tij në bulevard.

Pas disa orësh, dy aktivistët janë lënë të lirë. Nuk ka ende informacion të qartë nëse ndaj tyre do të vijojnë procedura të tjera lidhur me incidentin.

© BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›