Berisha: PD, luftë frontale ndaj oligopoleve për të mbrojtur qytetarët

TIRANË, 1 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar se oligopolet përbëjnë problemin më madhor të ekonomisë së tregut dhe qytetarëve shqiptarë.
Në fjalën e tij, Berisha theksoi se fenomeni nuk kufizohet vetëm në tregun e hidrokarbureve, por shtrihet edhe në produkte bazë të konsumit.
“Oligopolet janë të pranishme jo vetëm te nafta, por edhe tek ushqimet si sheqeri, mishi dhe produkte të tjera jetike”, u shpreh ai.
Sipas tij, oligopolet janë një dukuri e ndërmjetme mes konkurrencës së ndershme dhe monopoleve, e pranishme edhe në vende të tjera, por që kërkon ndërhyrjen e shtetit ligjor për të mbrojtur qytetarët nga abuzimet dhe marrëveshjet e fshehta që dëmtojnë tregun.
Berisha ngriti shqetësimin se në Shqipëri këto struktura, sipas tij, po ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen e çmimeve, duke i bërë ato më të larta se në vendet e Bashkimit Europian, pavarësisht fuqisë më të ulët blerëse të qytetarëve.
Ai kritikoi gjithashtu nivelin e taksave mbi karburantet, duke theksuar se ato janë ndër më të lartat dhe ndikojnë në çmimet përfundimtare.
Sipas tij, ky është një faktor kyç në rritjen e kostos së jetesës.
Kreu i opozitës theksoi se Partia Demokratike nuk është kundër biznesit, por kundër deformimit të tregut dhe mungesës së konkurrencës.
Ai paralajmëroi se një nga prioritetet kryesore të kësaj force politike do të jetë ndërmarrja e një lufte frontale ndaj oligopoleve.
“Është në detyrimin madhor të PD të ndërmarrë një luftë frontale në mbrojtjen më të vendosur të interesave të qytetarëve”, u shpreh Berisha.
Berisha nënvizoi se, Shqipëria ka një kuadër ligjor të mjaftueshëm për mbrojtjen e konsumatorit, por problem mbetet zbatimi i tij, duke kërkuar forcimin e institucioneve përgjegjëse dhe rritjen e transparencës në treg.
/gj.m/r.e/a.f/